Xhemati nuk bie pre e “spiunëve” që kërkuan të protestohet për hoxhallarët

Kosova

Xhemati nuk bie pre e “spiunëve” që kërkuan të protestohet për hoxhallarët

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 14:47

Xhemati në Xhami të Madhe në Prishtinë, në të cilën është imam Shefqet Krasniqi, të premten u shpërnda në qetësi pas mbarimit të namazit të xhumasë.
Në derë të xhamisë dhe në disa vende tjera rreth saj, ishte vendosur një letër e cila e paralajmëronte: “Spiun civilë në mesin e xhematit sot në Prishtinë”.
Siç shkruante në atë letër në mesin e njerëzve që kishin ardhur t’i luteshin Zotit, kishte edhe “individë të caktuar të cilët vinin me qëllim të nxitjes për protesta dhe destabilizimin e situatës në Kosovë”.
Letra njoftonte se këta persona kanë qëllim destabilizimin e situatës në Kosovë, të cilët nuk kanë të bëjnë me fenë Islame dhe me myslimanët e që për qëllim përpos paraqitjes së myslimanëve si anti-perëndimorë e të rrezikshëm, kanë edhe rëndimin e akuzës ndaj hoxhës Krasniqi.
Iniciativa për mosdalje në protesta pas faljes së xhumasë ka qenë anonime, ndërsa njoftimet që janë vendosur pranë xhamive nëpër Prishtinë, në fund të saj kanë pasur si nënshkrim “#MeHoxhallarët #Shqiptar”.
Ndryshe, edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava bashkë me disa hoxhallarë të tjerë, mbrëmë kanë bërë thirrje të mos protestohet nga askush për hoxhallarët.
Të mërkurën, 12 imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës u arrestuan nën dyshimin se kanë nxitur urrjetje ndërfetare, duke cenuar kështu rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Sot pasdite, Gjykatë Supreme në Prishtinë pritet të vendos për lirimin e tyre ose caktimin e masës së paraburgimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat