Pritje për zhvillime jonormale sot në Kuvend

Kosova

Pritje për zhvillime jonormale sot në Kuvend

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 09:22

Pa i ndryshuar pozicionet e vjetra, deputetët e legjislaturës së pestë sot, nga ora dhjetë, do të bëjnë tentativën e re për ta zgjedhur kryeparlamentarin.
Në vazhdimin e seancës deputetët do të shkojnë të ndarë në dy blloqe: në atë të PDK-së, vetëm të cilit Gjykata Kushtetuese ia ka njohur të drejtën ta propozojë kreun e Kuvendit, por që nuk i ka numrat për ta votuar kandidatin që e propozon; dhe në bllokun LDK-LVV-AAK-Nisma, që e ka shumicën në Kuvend dhe që refuzon ta japë votën për kandidatin e PDK-së.
Nisur nga kjo situatë, vëzhgues të proceseve politike nuk japin shpresë se mund të gjendet zgjidhje në këtë vazhdim seance. Sociologu Artan Muhaxhiri ka theksuar se rigjiditeti i qëndrimeve kokëforta premton vazhdimësi të bllokadës e jo zgjidhje. Tentativa e parë për të konstituuar organet e Kuvendit është bërë më 17 korrik.
Suksesin në seancën e sotshme e synojnë të dyja blloqet. Përfaqësues të kampit LDK-LVV-AAK-Nisma të mërkurën kanë zhvilluar konsultat e fundit, por si rëndom në deklaratat e tyre publike nuk kanë shpalosur planin, i cili do ta vinte Isa Mustafën në krye të Kuvendit.
Opozita nuk e ka të sigurt nëse sekretaria e Kuvendit do të jetë pas tyre, në përpjekjen për ta zgjedhur kryekuvendarin. Tani blloku opozitar nuk do ta ketë mbështetjen e Listës Serbe, e cila në seancën e 17 korrikut kishte votuar Isa Mustafën për kryekuvendar. Ky qëndrim i deputetëve serbë erdhi pas një vizite që ata i bënë të mërkurën Beogradit, të ftuar nga kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe nga shefi i Zyrës Qeveritare për Kosovë, Marko Gjuriq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat