Kosova sanksionon Rusinë

Kosova

Kosova sanksionon Rusinë

Më: 17 shtator 2014 Në ora: 16:12

Qeveria e Kosovës nga sot i ka vendosur sanksione Rusisë. Sipas Kryeministrit Thaçi, vendimi do të mbetet në fuqi varësisht nga rrethanat që krijohen.
Kosova i është bashkuar aleancës perëndimore në vënien e sanksioneve ndaj Moskës, pas mbështetjes së fuqishme që Rusia po vazhdon t’u japë separatistëve pro-rusë në Lindje të Ukrainës.

Sipas Kryeministrit Hashim Thaçi, sanksionet hyjnë në fuqi që nga sot e deri në një vendim tjetër, varësisht nga rrethanat që mund të krijohen.

Ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj tha se për shkak të situatës së krijuar në Ukrainë dhe duke marrë parasysh faktin se Kosova është në proces të përmbushjes të gjitha obligimeve që parashihen në MSA, Qeveria e Kosovës duhet të vendosë masa të sanksioneve kundër Federatës Ruse.

Ai tha se ky vendim është në dobi të ruajtjes së rendit ndërkombëtar dhe një përkrahje për të dënuar shkeljen që po i bëhet një shteti të pavarur dhe sovran, Ukrainës.

Sipas Hoxhaj, ky vendim gjithashtu tregon se Kosova po trajtohet me dinjitet dhe në mënyrë të barabartë në marrëdhëniet ndërkombëtare, e gjithashtu Kosova është një partner stabil karshi partnerëve euroatlantik.

Për një vendim të tillë foli edhe Ministri i Financave, Besim Beqaj.

Ai tha se ky vendim është mjaft i rëndësishëm dhe se MF, përmes ATK’së dhe Doganave, do ta mundësojë sanksionimin e gjitha veprimtarive ekonomike të cilat nuk janë në harmoni me rregullat ndërkombëtare.

Në këtë mbledhje janë miratuar edhe disa vendime tjera të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë, ajo e Financave dhe e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat