18 shtatori, datë e formimit të institucioneve

Kosova

18 shtatori, datë e formimit të institucioneve

Më: 17 shtator 2014 Në ora: 14:35

Përderisa kanë mbetur edhe 24 orë deri në mbajtjen e seancës konstituive, njohës të rrethanave politike në vend shpresojnë se 18 shtatori do të jetë datë e zhbllokimit të formimit të institucioneve.
Që pas zgjedhjeve të tetë qershorit, Kosova vazhdon të përballet me bllokimin e formimit të institucioneve të reja. Në njërën anë PDK, që doli e para në zgjedhje dhe në anën tjetër koalicioni LDK, AAK dhe Nisma, sw bashku me Vetëvendosjen vazhdojnë të këmbëngulin rreth asaj se kujt i takon e drejta e kryeparlamentarit. Ky ngërç politik bëri që seanca konstituive e 17 korrikut të dështojë dhe çështja të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Kur kanë mbetur më pak se 24 orë deri në vazhdimin e seancës konstituive, analistët politik theksojnë se mundësitë për ta tejkaluar këtë krizë janë shumë të mëdha. Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i ka thënë Radio Kosovës se seanca e 18 shtatorit duhet të jetë tejkalim i gjendjes së rëndë politikë në Kosovë.

“Këto 24 orë duhet të jenë orë të reflektimit të liderëve politik mbi përgjegjësinë që ata kanë në raport me Kosovën si shtet dhe qytetarët e saj. Çështja e formimit të institucioneve është stërzgjatur për qëllime tërësisht personale dhe individuale të liderëve të caktuar politik. Prandaj, kjo seancë duhet të jetë fundi i kësaj gjendje të panevojshme për Kosovën por do të duhej të ishte edhe fundi i një mungese të një qeverisje efektive në Kosovë”.

E në rast të dështimit përsëri të seancës, atëherë është paralajmëruar se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por, Dren Doli thotë se është e panevojshme që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Është e panevojshme për Kosovën që të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ato mbahen vetëm në raste të caktuara dhe rastet më ekstreme kur ato ndodhin është mungesa e një konsensusi të mjaftueshëm politik brenda Kuvendit për të zgjedhur një qeveri dhe për ta mbajtur në jetë një qeveri”.

Sipas Dolit, nëse njëra nga grupet politike në Kuvend rezulton me shkelje kushtetuese, atëherë Kosova do të ballafaqohet me një situatë ku Gjykata Kushtetuese, për shkak të mungesës së kurimit, do ta ketë të pamundshme që të vendos mbi çështjet që i janë adresuar asaj. Kjo do ta thellonte edhe më tepër ngërçin politik dhe si pasojë Kosova do të përballej me bllokimin e formimit të institucioneve të reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat