Hyseni: Kosova “pashallëk” i Beogradit?!

Kosova

Hyseni: Kosova “pashallëk” i Beogradit?!

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 16 shtator 2014 Në ora: 10:40

Hija e regjimit të Serbisë duhet të shporret sa më parë nga Kosova! Qytetarët serbë të Kosovës janë shtetas të Kosovës dhe ata nuk mund dhe nuk guxojnë kurrsesi të trajtohen ndryshe nga ajo se si trajtohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve të tjera gjithandej në Serbi, thotë analisti politik Nehat Hyseni.

Hyseni thotë se, askush sot nuk mund të na kuptoj se si akoma dikush nga politikanët aktualë të Republikës së Kosovës pret urdhra nga Beogradi dhe e bllokon punën e Kuvendit të Kosovës, që na sollën bllokadë dhe ngërç politik, duke ia lejuar, madje edhe duke ia kërkuar Serbisë që të përzihet në punët e Kuvendit dhe shtetit të Kosovës!

Bllokada politike, sipas diktatit të Serbisë?

“Vazhdimi i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës i 17 korrikut 2014, që ishte caktuar për 12 shtator, megjithatë nuk u mbajt, meqë deputetja më e moshuar, zonja Flora Brovina, të cilës i ra hise të jetë kryesuese deri në zgjedhjen e kryetarit, vendosi që ta shtyj për datën 18 shtator 2014. Në takimin konsultativ të partive parlamentare të Kosovës, që kishte caktuar deputetja Brovina për datën 11 shtator, ajo i caktoi edhe një herë vetes kompetenca që nuk i takojnë, as me Rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës e as me Kushtetutë. Ajo de facto e (vet) shpalli veten kryetare të Kuvendit të Kosovës”, thotë Hyseni, për gazetën "Bota sot".

Sipas tij, si duket as kjo nuk i mjaftoi zonjës Brovina, prandaj edhe e mori rolin edhe të Presidentes, duke i dhënë (vet) vetes lirinë dhe të drejtën e ndërtimit të “unitetit” të subjekteve politike në vend?!

"Kuptohet, nga pozitat e militantes, por dhe misionares fanatike të PDK-së dhe shefit të saj, kryeministrit në ikje, Hashim Thaçit. Kjo u vërejt shumë qartë edhe në mbledhjen e 17 korrikut, kur ajo këmbëngulte për një “konsultim” midis partive politike, me qëllim të përfshirjes së PDK-së në qeverisje. Insistimi këmbëngulës i tyre është konkretisht për postin e kryetarit të Kuvendit. Meqë i kanë vetëm 37 deputetë dhe u mungojnë minimalisht edhe 24 vota, meqë për ta realizuar këtë objektiv të tyre politik, atyre u duhen së paku 61 vota, që realisht nuk i kanë”, potencon ai.

Ai thekson se, prandaj, ata janë këmbëngulës në insistimin e tyre për marrëveshje të partive politike, në mënyrë që të sigurojnë diçka në qeverisjen e ardhë qeverisjen e ardhshme të Kosovës, për periudhën e ardhshme katërvjeçare 2014-2018.

“Pra, atë që nuk e arritën në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 8 qershorit 2014, ata po përpiqen që ta realizojnë me këmbëngulje, kokëfortësi dhe me shantazhe të pafund, nëpërmes deputetes Brovina. “Sihariqi” i fundit i saj ishte nga takimi i partive politike më 11 shtator, ku morën pjesë vetëm PDK me minoritetet. Aty ndodhi befasia më e papritur edhe për militantët fanatikë të PDK-së dhe shkaktoi shumë pakënaqësi tek Koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, meqë mbledhja e caktuar për 12 shtator, u shty për datën 18 shtator 2014, me propozimin e Lista Serbe, vlerëson Hyseni.

Hyseni pohon se, arsyetimi që e dhanë ata lidhur me kërkesën për shtyrjen e datës së vazhdimit të mbledhjes konstituive, nga 12, në 18 shtator, ishte katastrofale dhe i pa pranueshëm, meqë ata po e kërkonin kohën për konsultime me qeverinë e Serbisë në Beograd lidhur me atë se a duhet të jenë pjesë e Koalicionit pas kyçjes së Lëvizjes Vetëvendosje në te.

“Do të thotë se pa pëlqimin e Beogradit, nuk mund të mbahet mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës! Dhe, për çudi, z. Brovina pa kurrfarë hezitimi e (mirë) priti dhe miratoi këtë “propozim”, pa asnjë vërejtje apo kundërshtim! Madje, pa i bërë fare përshtypje zonjës Brovina implikimi i Qeverisë së Beogradit në punët e Kuvendit të Kosovës, sikur të ishte Kosova provincë e Serbisë, apo “pashallëk” i Beogradit”, shton ai.

Më tutje Hyseni thotë se, shërbimet dhe servilizmi ndaj Serbisë i qeverisjes së deritanishme të Kosovës nga Qeveria aktuale në ikje, janë të pafund.

“Duke filluar nga shërbimi me devotshmëri fanatike ndaj Serbisë në Dialogun e Brukselit, ku u bënë lëshime të paimagjinuara Serbisë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit 2013, që u cilësua nga populli, e sidomos nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, si tradhti kombëtare ordinere, meqë as që i ra në mend dhe nuk iu kujtua ekipit negociator të Kosovës në krye me Edita Tahirin, si dhe shefit të saj, kryeministrit Hashim Thaçi se ekzistojnë fare këta shqiptarë të mjerë, të cilët askund nuk u përmendën fare, madje as në margjina të Dialogut. Me këtë, kjo Qeveri në ikje ka shkruar një histori të turpshme dhe kriminele ndaj kësaj pjese të shqiptarisë”, thotë ai.

Ai pohon se, dialogu i Brukselit e dëmtoi rëndë edhe Kosovën. Sepse, aty u nënshkrua formimi i Asociacionit të komunave serbe, që paraqet një “Republika Serbe” të Bosnjës, që do e bëjë edhe Kosovën shtet skajshmërisht jofunksional, ashtu si është Bosnja sot, me çka u shkelë rëndë sovraniteti territorial dhe Pavarësia e Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008.

Stop servilizmit ndaj Serbisë!

“Kështu, Serbisë iu mundësua me “argatllëkun” dhe servilizmin e negociatorëve kosovarë, hapja e rrugës drejtë Evropës dhe marrja e ftesës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Kurse Kosova çfarë fitoi? Mjerisht, asgjë! Madje as vizat për lëvizje të lire të qytetarëve të saj në Evropë, duke mbetur vendi më i izoluar në Evropë, ku populli i saj jeton sin ë karantinë”, thotë Hyseni.

Sipas tij, si duket, këto bisedime u zhvilluan pa kurrfarë parimesh e kriteresh, që e afroi Serbinë me BE-në, duke ia shkurtuar rrugëtimin në këtë drejtim, kurse Kosovën e sakrifikoi dhe largoi edhe më tepër nga rruga dhe perspektiva e saj euroatlantike.

“Andaj, Qeveria e re duhet që ta shqyrtoj urgjentisht Dialogun ne Brukselit dhe përformancën e palës kosovare në këtë dialog ta analizoj mire dhe të merr masat dhe përgjegjësinë përkatëse për ekipin negociator, si dhe ta rishqyrtoj të Marrëveshjen e 19 prillit 2013, dhe t’i hartoj parimet e reja të vazhdimit të dialogut me Serbinë. Gjithsesi, aty patjetër duhet ta përfshijë parimin e reciprocitetit të Kosovës me Serbinë, si dhe parimin e reciprocitetit lidhur me të drejtat e serbëve të Kosovës me të drejtat e shqiptarve në Serbi”, thekson ai.

Ai thotë se historia e servilizmit dhe përuljes së Kosovës ndaj Serbisë është e gjatë. Ashtu ishte që nga vjeshta e vitit 1912, kur Kosova gjatë Luftës së pare dhe të dytë Ballkanike, u masakrua dhe nënshtrua me gjak, si dhe gjatë periudhës së socializmit dhe regjimit të Millosheviqit.

“Por, atëherë Kosova ishte e nënshtruar dhe nën ushtrinë, policinë dhe regjimin e egër serb. Kurse tani, me largimin e ushtrisë, policisë dhe regjimit serb nga Kosova në vitin 1999 dhe me futjen e NATO-s dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare në formë protektorati, e sidomos pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008, vërtetë ky servilizëm ndaj Serbisë nuk ka kurrfarë kuptimi dhe nuk mundë të arsyetohet nga askush, as para popullit e as para Zotit!”, deklaron Hyseni.

Hyseni thekson se, hija e regjimit të Serbisë në Kosovë duhet të shporret sa më parë. Qytetarët serbë të Kosovës janë shtetas të Kosovës dhe ata nuk mund dhe nuk guxojnë kurrsesi të trajtohen ndryshe nga ajo se si trajtohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve të tjera, si p.sh. në Beograd dhe në Novi Sad e gjetiu në Vojvodinë dhe në Serbi.

“Askush sot nuk mund të na kuptoj se si akoma dikush nga politikanët e Republikës së Kosovës pret urdhra nga Beogradi dhe e bllokon punën e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e institucioneve demokratike e shtetërore dhe Qeverisë së re, tre muaj e më tepër nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 8 qershorit 2014. Atëherë populli votoi me sukses dhe ato zgjedhje u vlerësuan sit ë suksesshme e dinjitoze”, thotë ai.

Sipas tij, politikanët e papërgjegjshëm na sollën në bllokadë ekstreme dhe në ngërç politik, duke ia lejuar, madje edhe duke ia kërkuar Serbisë që të përzihet në punët e Kuvendit dhe shtetit, si dhe akoma ta sundoj Kosovën!

Ai pyet se, “vallë, a mund të këtë tradhti më të madhe kombëtare në Kosovën e lirë, sovrane dhe të pavarur se sa kjo? A nuk i rrezikuam vlerat elementare të shqiptarizmës dhe të demokracisë, ndjenjave të lirisë, pavarësisë e shtetësisë sot në Republikën e Kosovës, ku madje as mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës nuk mund ta mbajmë pa e pyetur Serbinë?

A duhet të japin llogari para popullit dhe historisë personat përgjegjës që i kanë veshët e shurdhër ndaj kërkesave eksplicite të subjekteve politike shqiptare të Kosovës, si dhe të miqve tanë strategjik ndërkombëtarë, si p.sh. ambasadorja e SHBA-së, zonja T. Jacobson dhe përfaqësuesi i BE-së, z. S. Zhbogar, që na sugjerojnë që “sa më pare të formohen institucionet e Kosovës” dhe të mos zhagitet më procesi i funksionimit të Kuvendit të Kosovës?

A duhet të jep ndokush përgjegjësi, apo akoma do ta vazhdojmë avazin e vjetër që edhe sot e kësaj dite dhe në të ardhmen ta pyesim Serbinë, gjashtëmbëdhjetë vjet pas hyrjes së Aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s dhe gjashtë vjet e gjysmë nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës?”, thekson Nehat Hyseni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat