Ahmeti: Marrëveshja VV-LDK nuk do të më ndalë të dërgoj lëndët në prokurori

Kosova

Ahmeti: Marrëveshja VV-LDK nuk do të më ndalë të dërgoj lëndët në prokurori

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 21:53

Në emisionin e parë të edicionit të ri të “Puls”-it në KTV, mysafir ishte kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ahmeti ka folur gjerë e gjatë për parregullsitë që i ka gjetur në komunë, por për krimin që siç thotë ai, e ka kapur shtetin e Kosovës nga niveli qendror e deri tek ai lokal.
I pari i kryeqytetit tha se mbi 50 lëndë janë dërguar deri më tani në prokurori për krim. Sipas tij, në Komunën e Prishtinës, rreth 49 ndërtime pa leje kanë pas vendim për rrënim, por nuk janë rrënuar.
Sa i përket çështjes së ndalimit të dhënies së lejeve për ndërtim, Ahmeti ka thënë se këtë 6 mujorin e parë të këtij viti i kemi 60 aplikacione për ndërtime, ndërsa ka theksuar se ka rënie të shitblerjeve të banesave pasi që, siç u shpreh ai, “është ngopur tregu”.
“Kompanitë ndërtuese i kanë borxh Komunës së Prishtinës 8 milionë euro. Disa nga borxhlinjtë janë “Standardi”, “Labi Invest”, “Aldeks”, “Swiss bau construction”, “Nartel”, “Home invest”, “Mabeteks”, “Lesna”, “Eksluzive dizajn”, Arber Kryeziu, investitor. Pra, këta janë disa prej borxhlinjve”, tha kryetari Ameti, raporton Koha.net.
Ahmeti ka bërë apel tek pronarët ë ndërtesave për t’iu bërë presion pronarëve të ndërtimeve që i kanë blerë nga ta “t’i paguajnë borxhet përndryshe nuk bëhet pranimi teknik - pra, leja e përdorimit”.
Për çështjen e suficitit buxhetor, punë për të cilën partia e Ahmetit, Vetëvendosje, e pati akuzuar vazhdimisht kryetarin paraprak të komunës, Isa Mustafën, se po i teprojnë para, ai tha se këtë vit, edhe atij mund t’i teprojnë para.
“Po mund të ketë këtë vit mund të ketë për shkak se është viti i parë”, tha Ahmeti.
Për çështjen e çerdheve, që edhe ka qenë një prej premtimeve të tija parazgjedhore, Ahmeti tha se “kemi problem pak me licencimin e çerdheve por edhe për numrin e punëtorëve”.

Çështja tjetër që e ka premtuar Ahmeti gjatë fushatës parazgjedhore ka qenë edhe zgjidhja e problemit të “Trafikut Urban”, për të cilën pati thënë se do të rregullohet shumë shpejtë.
“Procesi i reformave në Trafikun Urban nuk është i lehtë dhe që përfundon për 6 muaj”, u shpreh Ahmeti.
Tjetër premtim që Ahmeti pati dhënë para zgjedhjeve ka qenë edhe blerja e banesave për 150 euro metrin katror për shërbyesit civilë.
“Kjo vitin e ardhshëm do të fillojë rreth blerjes së banesave më këto çmime, pra t’i motivojmë, por nevojiten partneritetet publiko private”, tha Ahmeti.
Ahmeti tha se një prej premtimeve që e ka mbajtur është ulja e tatimit për tarraca, nga 8 euro në 6 që nga muaji qershor. Tjetër premtim i tij kanë qenë edhe parkingjet, për të cilën drejtuesi i emisionit i tha se “s’keni bërë asgjë në këtë drejtim”.
“Prit se parkingu nuk rregullohet nëse i ndërtojmë 4 kate. Ne jemi duke e rregulluar kërkesën se ka nevojë. Pra do të formohen krejt kah fundi i tetorit rreth 4 mijë parkingje”, tha Ahmeti
Ndërkaq, për punën e garazheve të PDK-së, për të cilën partia e Shpend Ahmetit e pati kritikuar ish-qeverisjen e kryeqytetit, Ahmeti tha se “Unë kam thënë se do ta zbatoj ligjin e jo t’i rrënoj, por e pres një ortofoto nga ministria”.
Ahmeti ka thënë se për ta bërë Prishtinën, nga qyteti më stresues, në qytet normal ku gjatë vikendit njerëzit të mos ikin në Tiranë e Shkup, do të reduktohen makinat, do të përmirësohet transporti publik, do të rriten hapësirat gjelbëruese, do të shtohen parqe të reja.
“Problemi kryesor në komunë është edhe në ndërmarrjen publike banesore që aty s’dihet kush çka ka paguar banesa me qira dhe shitjen, pra duhet auditim. Edhe këtu ka hyr thellë krimi dhe korrupsioni”, theksoi Ahmeti.
Sipas Ahmetit, projektet për tri vitet e ardhshme janë ndërtimi i kanalizimit mbi dy lumenj, unaza qendrore, digjitalizimi i Prishtinës, harta zonale, etj..
Për shujtat e nxënësve, Ahmeti ka thënë se nuk është vonuar, pasi që ka thënë se kishte premtuar nga shtatori, pra “vetëm në shtator”, pa përmendur data.
Për mjekun personal, premtim që e pati dhënë para zgjedhjeve, Ahmeti tha se kjo merr kohë derisa të bëhet zonimi i qytetit.
“Rreth 30% të premtimeve i kam realizuar. Nga zotimet, uji është problem kryesor”, tha Ahmeti.
Drejtuesi i emisionit “Puls” i tha Ahmetit se meqenëse ky i fundit po thotë të ketë pasur krim në komunë nga qeverisja e kaluar, përse po hyni në koalicion me LDK-në.
“Po nëse i kemi gjetur këto gjëra në Komunën e Prishtinës, llogarite çka ka në qeverinë e Kosovës. Pra, që ta shpëtojnë shtetin nga e keqja e madhe. Marrëveshje pa marrëveshje me LDK-në. Në asnjë moment nuk do të më ndalin që t’i dërgoj lëndët në prokurori, pra nuk ndalem”, tha Ahmeti.
Ai tha se e ndjen për obligim që t’i dërgoj këto lëndë në prokurori, “e nëse del Isa Mustafa, atëherë shumë mirë - kush ka kryer krime, le të përgjigjet”.
“Pra mos mendoni se tash vjen dikush dhe më thotë mbylli sytë se po hyjmë në koalicion. Unë jap dorëheqje në vend. Në këto dosje janë të përfshira LDK dhe PDK. Publikisht kanë folur kundër njeri-tjetrit, por atje tek lejet s’dihet kush çka ka bërë”, ka theksuar më tej Ahmeti.
I pari i Komunës së Prishtinës tha se ndjehet shumë i shqetësuar me uzurpimin dhe regjistrimin e pronave në mënyrë të kundërligjshme.
“Duke e pa si po përfundojnë gjykimet, si p.sh. deri 60 milionë arrihet dëmi i Komunës së Prishtinës. Pra, i ashtuquajturi grupi i Nuhi Ukës, ndërsa njerëzit që vjedhin 2 metra drunj shkojnë në burg, kurse Nuhi Uka 2 vjet me kusht”, shtoi Ahmeti.
“Komuna e Prishtinës ka humbur pronë si pasojë e gjykatëses Sanije Muqolli. Unë kisha dashur të rishikohen krejt vendimet e pronave, pra të bëhet auditim. Sanije Muqolli merr vendim për vjehrrën e Nuhi Ukës. Unë tash jam i shqetësuar edhe me prokurori dhe gjykatë. Nëse i dërgoj këto lëndë se di a guxojnë më u marrë me to”, theksoi më tej Ahmeti.
“Me hektar tokë në Komunën e Prishtinës janë shpronësuar në mënyrë të paligjshme. O nuk e dini bre, po mungojnë edhe parcelat kanë humbur. Në Sofali është shpronësuar, aty çka nuk është bërë, edhe në Kalabri. Ne do të kërkojmë auditim të çdo vendimi të këtyre gjykatësve të dënuar”, tha Ahmeti.
Drejtuesi i emisionit u interesua që ta dijë se kush ka përfituar nga banesat publike që i ka ndarë Komuna e Prishtinës, ndërsa Ahmeti tha: “Banesat tek Sheshi, tek “kolegium kantorium”, tek qendra e Prishtinës kanë përfituar drejtorët, ka përfituar edhe Ismet Beqiri dhe Arsim Janova dhe kanë privatizuar Ismeti dhe Arsim Janova”.
“Pra Ismeti e ka blerë banesën 9 mijë euro me diku rreth 125 metra katrorë. Arsim Janova 11 mijë euro po aq banesë të madhe në qendër të qytetit. Pra i kanë privatizuar me letra në rregull, por llogariteni sa kushton ajo banesë në qendër. Në njëfarë mënyre, e kanë përdor detyrën zyrtare për të krijuar pronë për vetvete”, tha Ahmeti për emisionin “Puls”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat