Enveristët e Ferizajt të shqetësuar për afrimin e Vetëvendosjes me Bllokun

Kosova

Enveristët e Ferizajt të shqetësuar për afrimin e Vetëvendosjes me Bllokun

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 17:43

Fronti Popullor për Kultivimin e Veprës së Enver Hoxhës konsideron se partitë politike, si dhe një grusht i analistëve "llaskuc" me veprime e tyre po e shtyjnë Kosovën drejtë një skenari të provuar me 1997 në Shqipëri.
Në një konferencë për medie, drejtuesit e këtij formacioni politik me seli në Ferizaj, kanë thënë se qytetarët e Kosovës si asnjëherë më parë nuk e kanë më të qartë faktin se përfaqësuesit e tyre nuk qajnë kokën për elektoratin, ngase për ndryshe nuk do të bënin kaq përmbysje të thella programore, pa u mbështetur në asnjë kriter përveç atij të fitimit personal.
Kryetari i Frontit, Remzi Hasani, ka adresuar një mori kritikash në adresë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se Fronti dhe anëtarësia e tij shpesh herë kanë qenë pjesë e aktiviteteve të VV-së, pjesë e sakrificës së përbashkët, e që tash për interesa të përfitimeve po anashkalohet nga drejtuesit e saj.
"Lëvizja Vetëvendosje nga protestat për bashkim me Shqipëri përfundoi në kërkesën për ta udhëhequr dialogun me Serbinë, mandej nga barrikadat e prodhimeve serbe u bë pjesë e legjitimimit të politikës serbe në Kosovë, nga kërkesat për t'ia shitur xhipat Mustafës, me vullnetin e tyre këtë po e hip në një xhip më të madh. Me një fjalë VV-ja për fat të keq u kthye në Lëvizje për LDK", ka thënë Hasani.
Të njëjta "selame", kreu i Frontit, i ka ndarë edhe për Nismën e Jakup Krasniqit, duke i rikujtuar këtij se e ka harruar 17 shkurtin e 2008, kur e kishte shtyrë seancën solemne të shpalljes së pavarësisë së Kosovës me orë të tëra, vetëm për shkak të fotografisë së zotit Rugova."Zoti Krasniqi do të duhej tu jep shpjegime qytetarëve të Kosovës, nëse ai e ka përqafuar rugovizmin apo zoti Mustafa ka heqë dorë nga rugovizmi", ka shtuar Hasani.
Sipas Hasanit, Fronti ka zgjidhje edhe politike edhe juridike për gjendjen e krijuar. Ai duke iu referuar të parës, ka thënë se deputetë e Kuvendit të Kosovës duhet të dërgohen në "Burrelin" e xhaxhit për të hequr të zitë e ullirit, siç po e heqin për çdo ditë qytetarët, ndërsa zgjidhjen juridike ka thënë se sheh vetëm përmes zgjedhjeve të reja, të cilat do ta zhbllokonin këtë ngërç politik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat