BE s’e ka problem nëse bisedimet i udhëheqë Vetëvendosje

Kosova

BE s’e ka problem nëse bisedimet i udhëheqë Vetëvendosje

Më: 14 shtator 2014 Në ora: 18:27

Bashkimi Evropian nuk e ka ndërmend të përzihet në çështje të brendshme të Kosovës dhe nuk ka asnjë kundërshtim nëse bisedimet me Serbinë do të udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kështu është shprehur Maja Kocijançiq në një prononcim për Radio Kosovën, duke komentuar zhvillimet e fundit në vend.
“BE respekton proceset e brendshme në Kosovë, dhe rezultatet të cilat dalin nga këto procese dhe janë në përputhje me ligjet dhe proceset demokratike”, ka theksuar Maja Kocijançiq, zëdhënësja e kryediplomates evropiane në largim, Catherin Ashton, në një prononcim për Radio Kosovën, duke komentuar zhvillimet e fundit në vend, ku bllokut të partive LDK-AAK dhe Nisma iu bashkua edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila fillimisht u tha se do të udhëheqë bisedimet me Serbinë, nëse blloku do të arrijë të formojë qeverinë.
Kocijançiq tha se dialogu konstruktive mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, është shumë i rëndësishëm të vazhdojë.
“Ne presim të qeveria e ardhshme e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë marrëveshjet e arritura, si dhe të angazhohet për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve mes dy vende”, ka thënë ajo.
Ajo më tutje ka shtuar se krahas kësaj, Bashkimi Evropian mbështet reformat dhe perspektivën evropiane të Kosovës, prandaj, sipas saj, është më rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë.
“Angazhimi për të ardhmen evropiane të Kosovës është thënë mjaft qartë edhe më inicimin e procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, për këtë është interes thelbësorë për Kosovën vazhdimi i dialogut me Serbinë”, është shprehur Kocijançiq.
Ndryshe, ditë më parë Blloku LDK-AAK-Nisma kanë nënshkruar një marrëveshje më Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka për qëllim t’i pamundësojë PDK-së marrjen e pushtetit për të tretën herë me radhë, ndonëse kjo e fundit ka dalë si partia e parë në zgjedhjet e qershorit.
Njëra ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje është edhe dialogu ndërshtetëror me Serbinë, e cila është përfolur se do të udhëhiqet nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, por gjë e cila më vonë është mohuar nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ku sipas këtij të fundit me dialogun do të udhëheqë Ramush Hardinaj, si i nominuari i bllokut për pozitën e kryeministrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat