Rritet numri i nxënësve që braktisin shkollën

Kosova

Rritet numri i nxënësve që braktisin shkollën

Më: 14 shtator 2014 Në ora: 11:50

Braktisja e shkollës nga nxënësit vazhdon të mbetet çështje shqetësuese si për institucionet përkatëse, po ashtu edhe për ekspertë dhe sindikatën e arsimit.

Në statistikat e Ministrisë se Arsimit, vërehet se viteve të fundit, është rritur numri i braktisjes së shkollës. Konkretisht kjo rritje vërehet te nxënësit e shkollës së mesme. Ndërkaq, meshkujt janë ata që më shumë e kanë braktisur shkollën.

Përderisa në vitin shkollor 2002/2003 shkollën e kishin lënë 1,554 nxënës pas një dekade në vitin 2011/2012 shkollën e kanë braktisur 2,642 nxënës.

Rritja e numrit të nxënësve që braktisin shkollën vërehet që nga viti 2007, kur numri ka qenë 2,425, duke u rritur në vitin 2008 në 3,321, në vitin 2009 -3,246, në vitin 2010 numri i nxënësve që për arsye të ndryshme kanë lënë shkollën ishte 3,208, kurse në vitin 2011, shkollën e braktisën 3,135 nxënës.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit pohojnë se braktisja e shkollës është evidente, por që listat për nxënësit që kanë e braktisur shkollën, nuk janë të përpiluara mirë, pasi, sipas tyre, mund të ketë edhe lëvizje të nxënësve nga një rajon në rajonin tjetër.

Alush Istogu, drejtor i Departamentit Para-universitar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tregon se është formuar një Këshill Kombëtar për Parandalimin e braktisjes së shkollës nga nxënësit.

“Jemi duke analizuar këtë çështje dhe në takimin e ardhshëm, me drejtorët komunalë, një ndër pikat e veçanta kemi edhe çështjen e parandalimit të braktisjes së shkollës. Megjithatë, ne jemi duke pastruar listat, ka shumë raste që fëmijët janë në botën e jashtme, por nuk ka kurrfarë dëshmie që është jashtë, por shkolla nuk guxon ta fshijë nga lista. Aktualisht, jemi duke i pastruar listat”, thotë Istogu.

Gjendja e vështirë socio-ekonomike, ëndrrat për migrim, konsiderohen arsyet e heqjes dorë nga shkolla, thonë ekspertë dhe përfaqësues të Sindikatës së arsimit.

Dukagjin Pupovci, udhëheqës në Qendrën për Arsim të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se për shkak të kushteve të vështira fëmijët meshkuj janë të “detyruar” të braktisin shkollën dhe të punojnë për të mbështetur financiarisht familjet e tyre.

“Kjo është një situatë, e cila do ta përcjellë Kosovën edhe për një periudhë të caktuar derisa të vazhdojë gjendja ekonomike ekzistuese. Por, më gëzon fakti se më nuk është e pranishme ajo dukuria që edhe vajzat të braktisin shkollën, qoftë për shkak të edukatës patriarkale, apo martesave të hershme. Këto, pra, tani janë përjashtime”, shprehet Pupovci.

Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, 32 për qind e të papunëve në vend janë të moshës 15- 24 vjeç. Dhe, më shumë se një e treta e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë, gjatë vitit 2012 nuk ishin në arsim, punësim apo trajnim.

Edhe Rrahman Jasharaj, udhëheqës i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, konsideron se shkalla e lartë e papunësisë është arsyeja kryesore e braktisjes së shkollës.

Duke e quajtur si fenomen shqetësues, Jasharaj thotë se kanë kërkuar nga autoritetet që të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

“Për nxënësit e shkollave të mesme, nganjëherë mendojmë se është mosha e caktuar dhe ata fëmijë e shohin veten më ‘interesant’ në tregun e punës dhe kryesisht merren me shitjen e cigareve dhe me punë të tjera, që ne i vlerësojmë si të ndaluara”, shprehet Jasharaj.

Përderisa vërehet rritje e numrit të nxënësve të shkollës së mesme, të cilët kanë braktisur shkollën, rënie e braktisjes së shkollës vërehet te nxënësit e shkollës fillore.

Në vitin 2002 shkollën e kishin braktisur 5,682 nxënës për derisa në vitin 2012 kjo shifër ka rënë në 1,339.

Përfundimi i arsimit fillor është i obliguar edhe me Ligjin për Arsimin Parauniversitar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat