PDK-ja e dirigjuar nga Serbia, godet Republikën e Kosovës

Kosova

PDK-ja e dirigjuar nga Serbia, godet Republikën e Kosovës

Nga: Mimozë Lakna Më: 12 shtator 2014 Në ora: 11:31

Partia Demokratike e Kosovës është e kapur nga Serbia. Kështu vlerëson publicisti dhe Anëtari i Këshillit të Ekspertëve të LDK-së, Faik Krasniqi, pas shtyrjes së seancës konstituive për javën tjetër.

Sipas Krasniqit me rekomandimin e Beogradit, Flora Brovina dhe PDK-ja e shtyjnë seancën konstituive të Kuvendit, për një javë.

“ Shihet qartë që kjo parti është e kapur për hunde nga Serbia. Ku t'ju thonë nga Beogradi ta lidhin kalin, këta e lidhin. Turp se në çfarë niveli ka ra kjo parti. Përveç që është skandaloze, por njëkohësisht edhe e frikshme shtyrja e seancës parlamentare për shkak të preferencave e interesave të Beogradit për krye parlamentarin e ri. Me këtë vendim të njëanshëm të PDK-së, i është bërë një goditje e rëndë Republikës së Kosovës, por edhe shkelje e sovranitetit”, thotë Krasniqi për “Bota sot”.

Sipas publicistit Krasniqi, PDK-ja duhet ta dijë, se Kosova prej 17 shkurtit të 2008 është shteti i pavarur dhe sovran dhe Serbia nuk guxon të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.

“Prandaj kjo Qeveri e dirigjuar nga Beogradi, duhet të ikë sa më parë. Koalicioni LVAN me 63 deputetë shqiptarë, që në seancën tjetër më 18 shtator, mund ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe krijojnë Qeverinë. Kurse deputetëve të ''Listës serbe'' dhe deputetëve të minoriteteve jo serbe, pasi e duan Thaçin dhe për interesa të ndryshme janë të lidhur aq ngushtë me të, rruga e hairit në opozitë iu qoftë bashkë me PDK-në dhe aleatët e saj. Sepse me 63 deputetë, koalicioni LVAN çdo ligj e voton në Kuvend”, vlerëson Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat