Mustafa: PDK-ja e Kushtetuesja të reflektojë, vetëm shumica zgjedh institucionet

Kosova

Mustafa: PDK-ja e Kushtetuesja të reflektojë, vetëm shumica zgjedh institucionet

Nga: H.Orana Më: 12 shtator 2014 Në ora: 08:01

Lideri I LDK-së, Isa Mustafa, njëherit edhe i propozuar për kryeparlamentar nga blloku VLAN ka shkruar në Facebook, duke cituar gjyqtarin amerikan, John Tunheim, se Kosova është system parlamentar dhe se vetëm shumica mund të zgjedh qeverinë dhe organet e Kuvendit.

“Gjyqtari amerikan, hartues i Kushtetutës së Kosovës, John Tunheim e shpjegoi qartë sistemin parlamentar. Ai theksoi se “Kosova është sistem parlamentar dhe kësisoj pa e pasur shumicën parlamentare s’mund ta formosh qeverinë”. Rrjedhimisht, pa e pasur shumicën parlamentare, mund ta propozosh edhe qeverinë edhe organet e Kuvendit, por vetëm shumica i zgjedh ato”, ka shkruar Mustafa.

Ai thotë se derisa tashmë të gjithë e kanë të qartë këtë, i mbetet vetëm PDK-së dhe Gjykatës Kushtetuese të reflektojë, se vetëm shumica mund të zgjedh Qeverinë, Kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

“Kjo ka qenë e njohur për të gjithë ne, por mbetet tani të bëhet e njohur edhe për PDK-në dhe Gjykatën Kushtetuese, ose këto dy palë ta argumentojnë para opinionit sesi në një sistem parlamentar mund të zgjidhet Qeveria, Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit pa shumicë parlamentare. Nëse, së paku Gjykata Kushtetuese nuk e bën këtë, atëherë ajo përfundimisht e vërteton se nuk qëndron të jetë një institucion i pavarur, sipas Kushtetutës, por ka marrë anë politike në këtë proces jetik për Kosovën”, ka shkruar lideri Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat