Intervistohet imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë

Kosova

Intervistohet imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë

Më: 4 shtator 2014 Në ora: 09:33

(E plotësuar) Në Kosovë, policia tha se ka zhvilluar një operacion në vazhdimësi të operacioneve të muajit gusht për arrestimin e të dyshuarve për përfshirje në luftërat në Siri e Irak dhe nxitje për t’ju bashkuar atyre luftërave.

Policia tha se e operacioni i kontrolleve është kryer në rajonet e Prishtinës, Ferizajt, Gjilanit, Pejës dhe Prizrenit.

“Ky operacion policor ka rezultuar me shoqërimin e një personi nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

I shoqëruari është Shefqet Krasniqi, imam i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, që është xhamia më e madhe nën juridiksionin e Bashkësisë Islame të Kosovës. Imami, Shefqet Krasniqi, është përfolur shpeshherë për fjalime e qëndrime nxitëse, madje emri i tij qe përmendur edhe në raportin e Departamentit Amerikan të shtetit mbi liritë fetare në botë.

Prokuroria e posaçme e Kosovës, tha se janë marrë në pyetje disa persona, në mesin e të cilëve edhe Imami Shefqet Krasniqi, të cilët pas intervistimit janë liruar, ndërsa prokuroria e posaçme e Kosovës do të vazhdojë hetimet sipas procedurës se përcaktuar me ligj.

Policia tha se gjatë operacionit të sotëm janë bastisur dy Organizata joqeveritare, një shtëpi private dhe shtatë konvikte banimi, ndërsa është duke vazhduar intervistimi i disa personave që ndërlidhen me vendet e bastisura. Policia ka konfiskuar dëshmi si pajisje elektronike dhe materiale të ndryshme që ndërlidhen me veprën penale, thuhet në një njoftim të saj.

Muajin e kaluar policia arrestoi mbi 40 persona nën dyshimet për vepra penale, ”organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, nxitje të urrejtjes përçarëse ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, rekrutim për terrorizëm, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Një pjesë e tyre dyshohet si ishin përfshirë në luftimet në Siri dhe në Irak dhe njëherësh kanë vepruar përkrah organizatave të shpallura terroriste, siç janë, Al Nusra dhe Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit.

Operacioni i filluar më 11 gusht ishte me i madhi deri tash pas shqetësimeve në rritje për shtimin e numrit të qytetarëve të Kosovës që po u bashkohen militantëve në Siri e Irak. Askush nuk e di numrin e saktë të tyre, por shërbimet e zbulimit pohojnë se janë disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash besohet se të paktën 16 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.

Operacioni u mirëprit nga institucionet vendase e ndërkombëtare si dhe nga Bashkësia Islame e Kosovës e cila bëri thirrje kundër atyre që përkrahin e nxisin gjuhë të urrejtës, interpretim të ngushtë të mësimeve fetare dhe politizim të besimit.

Lirohet Shefqet Krasniqi?!

Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi është liruar pasi që ishte kaluar disa orë në intervistim nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, është intervistuar në Policinë e Kosovës.

Ndryshe, Policia e Kosovës përmes një njoftimi zyrtar ka treguar se ka shoqëruar Shefqet Krasniqin, si të dyshuar për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarje ose mosdurim kombëtar, racor, fetar apo etnik”, sipas nenit 147 të KPK-së.

Prokuroria konfirmon intervistimin e imamit Krasniqi

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, është duke u intervistuar në Policinë e Kosovës.

“Shtëpia e hoxhës është bastisur nga ana a Policisë se Kosovës. Tash për tash, ai është në intervistim dhe nuk ka ndonjë vendim për ndalim; për më tutje nuk e dimë se si do të rrjedhin gjërat, në bazë të intervistës së tij”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Prokuroria speciale.

-------------

"Shtëpia e Hoxhë Shefqetit u bastis qysh para orës 6 e mëngjesit"

Disa burime bëjnë me dije se Policia e Kosovës, kanë nisur kontrollin në shtëpinë e Shefqet Krasniqit qysh para orës 6 të mëngjesit të sotëm.
“Po, policia e Kosovës ka ardhur këtu para orës 6 të mëngjesit. Mund të them se ata kanë qëndruar brenda shtëpisë së z.Krasniqi për disa orë, ndoshta më shumë se 2 orë”, ka thënë një i afërt i Krasniqit.

------------

Pos hoxhës Shefqet Krasniqi janë arrestuar edhe disa persona të tjerë. Aksioni është duke vazhduar.

Arrestohet Shefqet Krasniqi

Imami i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqi është arrestuar sot në orët e para të mëngjesit.
Burime të besueshme brenda Policisë së Kosovës i kanë konfirmuar portalit koha.net se hoxha është arrestuar.

Nuk dihet ende për motivet e sakta të arrestimit të tij. Por emri i tij është përfolur në të kaluarën shpeshherë për nxitje të ekstremizmit islamik./KD

Javë më parë, Polica e Kosovës ka arrestuar më shumë se 40 të dyshuar për terrorizëm, nga të cilët para pak ditësh disa janë liruar për mbrojtje në liri, me detyrimin që të paraqiten në Polici.

Për ta ka dyshime se kanë marrë pjesë ose po tentonin t’i bashkoheshin grupeve terroriste islamike, si ISIS e Al Nusra, në Siri e Irak.
Kosova është në prag të miratimit të një ligji i cili dënon deri në 15 vjet burgim pjesëmarrjen në luftëra të huaja, me ngjyrime terroriste.

Ekstremizmi islamik është cilësuar si një rrezik global. Prandaj vendet demokratike u kanë bërë thirrje të gjitha vendeve të botës që t’i bashkojnë forcat për ta parandaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat