Helmohet nga uji, presin ndihmën e komunës

Kosova

Helmohet nga uji, presin ndihmën e komunës

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 21:15

Familja Salihaj nga Zabërgja po vuan për ujë të pastër.

Të helmuar nga ndotja e ujit të pusit si pasojë e ujërave të zeza, anëtarë të familjes Salihaj nga Zabërgja e Klinës, krahas kurimit të kërkuar në klinikën infektive në QKUK, tash po detyrohen të bartin ujë nga burime të tjera alternative madje edhe jashtë fshatit.

“Për momentin ujin e kam marrë në Qabiq tek kroni, por tash kohën e fundit na kanë thanë kojshia me marrë këtu afër një ditë po një ditë jo e po i mbushi shishet e kënatat”, ka theksuar Sahit Salihaj.

“Për ditë një fëmijë e sjellë në shtëpi e një e çoj në spital. Që tri herë jemi në spital, për çka kam dokumente, fletëlëshime të spitalit. Jam anku në komunë na kanë thanë se do ta bëjnë një zgjidhje. E falënderoj komunën ndoshta po na shpëtojnë se përndryshe nuk kemi kurrfarë shprese që mundemi me jetu me bo farë zgjedhje”, ka shtuar Salihaj.

Drejtoria e Inspektoratit të Klinës thonë se e kanë proceduar rastin dhe njëherësh me drejtorin e shërbimeve publike dhe atë të urbanizmit janë në hulumtim të ndërmarrjes së hapave konkretë për evitimin e rastit të infektimit të ujit të pijshëm në këtë pjesë të fshatit Zabërgjë.

“Familja ma nuk e përdor ata ujë, ne do të shohim të ndihmojmë atë pjesë ato shtëpi sado pak.... janë pesë shtëpi që sa më parë t’i ndihmojmë me drejtoritë përkatëse që të ketë qasje në kanalizimin e ujërave të zeza të fshatit. Ky fshat e ka kanalizimin po nuk kemi pasur mundësi që të ketë qasje çdo shtëpi e fshatit Zabërgjë”, ka thënë Kolë Prenaj

Familja Salihaj edhe më tej merret me pasojat e ujit të ndotur. Ajo apelon komunarët për sanim të gjendjes, ndërsa zyrtarët komunalë problemin e trajtimit të ujërave të zeza e shohin si problem që do zgjidhje të shpejtë, por mungesa e buxhetit komunal mbetet problem.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat