Kryekuvendari nuk zgjidhet pa marrëveshje politike

Kosova

Kryekuvendari nuk zgjidhet pa marrëveshje politike

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 15:57

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës mund të përfundojë sërish në Gjykatën Kushtetuese, paralajmërojnë analistët politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, problemi i formimit të organeve të reja po adresohet në vazhdimësi te Gjykata Kushtetuese, në mungesë të dialogut politik.

Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti thotë se rrugëzgjidhja nuk mund të gjendet përderisa të mos ketë një marrëveshjes mes PDK-së në njërën anë dhe bllokut të partive, LDK, AAK dhe Nisma në anën tjetër.

Rashiti nuk e përjashton mundësinë që posti i kryetarit të Kuvendit, në rast se zgjidhet sërish pa marrëveshje me grupin më të madh parlamentar, sërish të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Veprime të tilla, sipas Rashitit degradojnë edhe Gjykatën Kushtetuese, por edhe organet e reja të Kosovës, që do të duhej të formoheshin pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të 8 qershorit.

"Nuk do të ketë rrugëdalje derisa të mos ketë marrëveshje për formimin e organeve ndërmjet bllokut LDK, AAK, Nisma edhe PDK-së. Të dyja blloqet janë përcaktuar në rrugën e vet dhe nuk shihet deri më tani në horizont ndonjë hapësirë për kompromis. Kishte qenë mirë që presidentja dhe dikush tjetër të involvohen që të bëhen tentativat e fundit për të formuar organet e kuvendit, nëse jo të shpallen zgjedhjet sa më shpejt", ka thënë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, edhe Albert Krasniqi hulumtues në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave - KIPRED mendon se pa një marrëveshje politike nuk do të mund të tejkalohet ky ngërç politik.

Kushtetuesja me aktgjykimin e vet i ka dhënë vetëm Partisë Demokratike të Kosovës të drejtën e propozimit për kryetar të Kuvendit, thotë Krasniqi. Në këso rrethana, ai i sheh tri mënyra për tejkalimin e kësaj gjendje bllokuese.

"E para është që blloku LAN (LDK, AAK, Nisma) ta votojnë kandidatin e PDK-së por të mund të zgjedhin në mesin e kandidatëve nga radhët e PDK-së, e dyta është që në mungesë të numrave, PDK-ja të heq dorë nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe të propozoj një kandidat nga radhët e bllokut LAN. Kurse situata e tretë mund të jetë që Kuvendi me dy të tretat e votave ta votoj shpërndarjen në mënyrë që t;ju hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme", ka deklaruar Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Analisti Albert Krasniqi thotë po ashtu se blloku i partive, LDK, AAK dhe Nisma nëse përcaktohet që të nominojë dhe votojë kandidatin e saj pa marrëveshje dhe nominim të PDK-së, atëherë mund të pësojë të njëjtin fat sikurse në aktgjykimin e fundit kur u rrëzua nga posti i kryekuvendarit, lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

"Vetëm PDK mund të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe asnjë prej partive tjera nuk mund ta bëjë këtë. Edhe në rast se PDK do të hiqte dorë prapë ata do të duhej ta propozonin kandidatin nga Blloku LAN (LDK, AAK dhe Nisma) nëse do të arrihej një marrëveshje", ka thënë Krasniqi.

Duke iu referuar opinionit të Gjykatës Kushtetuese, Naim Rashitit thotë se ky aktgjykim është shumë eksplicit dhe nuk krijon shumë mundësi. Madje, duke i parë dy taborret politike të ndara dhe pa komunikim, Rashiti mbështet idetë që si rrugëzgjidhje të jenë edhe zgjedhjet e reja.

"Nëse nuk ka marrëveshje politike për njërën rrugë apo tjetrën do të ishte shumë më mirë që zgjedhjet të shpallen, sepse kjo agoni institucionale që po vazhdon do ta vë në pikëpyetje edhe stabilitetin e vendit", ka deklaruar Rashiti.

Nisur nga gjendja e krijuar, Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Kosoves Atifete Jahjaga thotë se që nga fillimi i mandatit të saj, presidentja ka luajtur rolin e faktorit të unitetit dhe të garantuesit të funksionimit demokratik të institucioneve.

Andaj, në çdo rast, sipas Vllahiut, presidentja Jahjaga, në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese do të garantojë unitetin e popullit në vend e në veçanti, në rast të rrezikimit të funksionimit të institucioneve dhe të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi

"Nuk përjashtohet mundësia që Presidentja Jahjaga të lehtësojë diskutimet me forcat politike, gjithnjë duke ruajtur pavarësinë dhe autonominë institucionale. Megjithëkëtë, Presidentja Jahjaga ju bën sërish thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të angazhohen për të gjetur zgjidhje për konstituimin e Kuvendit, duke treguar përgjegjshmëri përpara qytetarëve të Kosovës, me votën e të cilëve kanë marrë mandatin e tyre", ka thënë Vllahiu për Radion Evropa e Lirë.

Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin qe shpallur jokushtetues zgjedhja e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit, kjo çështje është kthyer në pikën zero.

Pika për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pritet të trajtohet në seancën e cila pritet të jetë vazhdim i mbledhjes konstituive të 17 korrikut me pikën e vetme për zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit.

Zyrtarisht ende nuk ka asnjë datë të caktuar për thirrjen e seancës, kurse jo zyrtarisht thuhet se edhe kjo javë do të jetë në dispozicion për konsultime në mënyrë që seanca të caktohet për javën tjetër.

Zgjidhja e nyjës së kryetarit të Kuvendit do t'i hapte rrugë formimit të organeve të reja, përfshirë edhe qeverisë së re të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat