VV: Nga një shkelje kushtetuese në tjetrën

Kosova

VV: Nga një shkelje kushtetuese në tjetrën

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 15:48

Vetëvendosje konsideron se dekretimi i gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese duke u anashkaluar procedurat kushtetuese e vë në pikëpyetje besueshmërinë e kësaj gjykate.

"Më 1 shtator 2014, përfundoi mandati i tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të Kushtetueses, të mbetur pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Në shtator të 2011-ës Kuvendi i Kosovës miratoi aktet e ligjet që përmbyllnin këtë proces, në të cilat saktësohej dhe përfundimi i mandateve të të gjithë zyrtarëve ndërkombëtarë ende prezent në Kosovë.

Gjatë vitit të shkuar Presidentja Jahjaga solli në Kuvend për ratifikim letërkëmbimin me ish Komisioneren Ashton për zgjatjen e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë. Ky i fundit u ratifikua në Kuvend dhe në të u parashikua se sipas Kushtetutës, Kuvendi realizon votimin e nevojshëm për gjyqtarët e Kushtetueses dhe më pas Presidentja i emëron.

Të dielën, 31 gusht, një ditë para përfundimit të mandatit Presidenca njofton për emërimin e tyre, pa miratimin nga dy të tretat e deputetëve të Kosovës.

Dekretimi i tre gjyqtarëve ndërkombëtarë nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës në shkelje të Kushtetutës, pa miratimin me dy të tretat nga deputetët e Kuvendit të Kosovës siç parashihet në Nenin 114 të Kushtetutës është tregues se sovraniteti i Republikës është nocion fiktiv dhe i papërfillshëm nga vetë bartësit e kompetencave kushtetuese.

Presidentja e Republikës së Kosovës neglizhoi përgjegjësinë për ushtrim të kompetencës ekskluzive të saj pra, të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara sipas Kushtetutës, të dhënë në Nenin 84 (2), në rastin konkret të funksionimit kushtetues të Gjykatës Kushtetuese.

Me dekretimin e gjyqtarëve ndërkombëtarë duke anashkaluar organin më të lartë legjislativ të Republikës, Presidentja ka shpërfillur edhe vetë përmbajtjen e letërkëmbimit me ish Komisioneren për Politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton. Në këtë dokument është shprehur gatishmëria për vazhdimin e mandatit për gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu edhe gjyqtarët ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese, në respektim të plotë të Nenit 114, të Kushtetutës, dhe të cituar në paragrafin 8 të letërkëmbimit të ratifikuar në Kuvend si Ligji Për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe BE mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë.

Pra, pikërisht referimi i Presidentes në këtë marrëveshje të ratifikuar për t’i zgjatur mandatin është tejkalim i kompetencave të autorizuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, që njëherazi është edhe autoritet burimor i mandatit presidencial.

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se dekretimi i gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese duke u anashkaluar procedurat kushtetuese e vë në pikëpyetje besueshmërinë formalo-kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese. Dekretimi kundërkushtetues i një të tretës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, numër që e delegjitimon kuorumin vendimmarrës, e privon Gjykatën Kushtetuese nga karakteri i saj kushtetues. Ndërkaq, Presidentja e Republikës së Kosovës me kapërcimin e kompetencave të saj ka dështuar të garantojë funksionim kushtetues të institucioneve të Republikës duke bërë shkelje serioze të Kushtetutës.

I mbetet deputetëve të legjislaturës së V që pas fillimit të punës së Kuvendit të kujdesen për mënjanimin e këtij procesi antikushtetues. E, po ashtu të shqyrtimit të shkeljes serioze të Kushtetutës së Kosovës nga Presidentja e vendit, nga një përbërje e re e legjitime e kolegjit të Gjykatës Kushtetuese", thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat