"Misioni mafioz nuk do të realizohet" !

Kosova

"Misioni mafioz nuk do të realizohet" !

Nga: Mimozë Lakna Më: 2 shtator 2014 Në ora: 11:24

E kishte filluar me mjaft entuziazëm fushatën zgjedhore me sloganin Misioni i Ri, por duket se Hashim Thaçi dhe partia e tij PDK-ja nuk do ta kenë rastin që ta vënë në praktikë këtë mision. Mijëra qytetarë të Kosovës që nga muaji janar i këtij viti u ushqyen me shpresa të rreme për rritje pagash dhe jete më të mirë.

Keqqeverisja në dy mandate, u bë shkas që asnjë subjekt politik të mos e dëshiroj PDK -në e Hashim Thaçit në bashkëqeverisje. LDK, AAK, Vetëvendosje e Nisma për Kosovën u bashkuan kundër qeverisjes Thaçi 3, pavarësisht se PDK-ja i fitoi zgjedhjet.

Për analistin Faik Krasniqi, slogani i PDK-së Misioni i ri ishte një mashtrim i Hashim Thaçit dhe PDK-së, duke luajtur me ndjenjat e mbi pesë qind mijë të papunëve në Kosovë, në mënyrë që t'i josh njerëzit e papunë dhe të pashpresë, ta votojnë PDK-në.

“ Mashtrim ishte edhe gjoja hapja e 200 mijë vendeve të reja të punës, me anë të implementimit të këtij ''Misioni të Ri'', të proklamuar nga kryeministri në ikje. ''Misioni i Ri'' i Hashim Thaçit dhe PDK-së, nuk mund të implementohet me ato 1.5 miliard euro nga Fondi i Trustit Pensional dhe nga shitja e ndërmarrjeve dhe fabrikave në Kosovë, për këto arsye. E para, PDK-ja dhe z. Thaçi, e dinë shumë mirë që do të shkojnë në opozitë”,vlerëson Krasniqi.
Sipas tij, fondi i Trustit Pensional të Kosovës, nuk guxon të preket dhe të lozet ''bixhoz'' me të.
“ Këtë e kanë thënë edhe përfaqësuesit e Trustit Pensional të Kosovës, që ky fond prej 1 miliard euro nuk do të preket për asnjë arsye. Jo vetëm përfaqësuesit e Trustit të Kosovës, por edhe institucione të rëndësishme financiare si FMN, Banka Botërore etj, ia kanë tërhequr vërejtjen me dhjetëra herë Hashim Thaçit, që mos të bëjë fushatë në emrin e këtij Fondi, gjoja për ta implementuar planin e tij ''Misionin e Ri'',potencon Krasniqi.

Në këtë mënyrë, publicisti Krasniqi thotë se implementimi i këtij misioni ''famoz'' i Hashim Thaçit, nuk mund të implementohet, sepse nuk është plan ekonomik serioz i bazuar në argumente, por është mision i ndërtuar në bazë të gënjeshtrave dhe fontanë dëshirash, vetëm e vetëm ta mashtroj popullatën e papunë dhe të pashpresë, që ta votonin këtë parti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat