Deputetët për një seancë, u paguan nga 2500 euro

Kosova

Deputetët për një seancë, u paguan nga 2500 euro

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 09:16

Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës kanë marrë rreth 2500 euro për muajt korrik dhe gusht, ndonëse deri tani kanë mbajtur vetëm një seancë, atë më 17 korrik.

Ata mund të kenë mendime diametralisht të kundërta në politikë dhe të mos e durojnë njëri-tjetrin, por, kur është në pyetje “mbushja” e kontos me para të majme të buxhetit të Kosovës, thuajse të gjithë deputetët deklarohen se i meritojnë ato për angazhimin që janë duke e bërë.

Ndonëse, nuk janë parë në ndonjë aktivitet gjatë tërë muajit gusht, tashmë në xhirollogaritë e tyre mbi 100 deputetë të Kuvendit të Kosovës i kanë marrë nga 1200 euro pagesë për këtë muaj, po aq sa i kishin marrë edhe në muajin korrik, ndonëse kanë marrë pjesë vetëm në një seancë të legjislativit, me datë 17 korrik 2014.

Madje, disa prej tyre as që janë në dijeni se sa mjete i kanë në xhirollogaritë e tyre. Por, megjithatë, thonë se i meritojnë pagat, duke përmendur angazhimin e tyre gjatë kësaj periudhe politike, si për shembull “qetësimin e elektoratit”, “takimet me grupet parlamentare”, “diskutimet për gjendjen politike” etj.

Por, edhe pse nuk ka pasur as edhe një seancë në Kuvendin e Kosovës, sekretaria e Kuvendit i ka konfirmuar gazetës “Zëri” se tashmë pagesat janë kryer për deputetët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat