Kosovë: Presidentja Jahjaga mund të ndërhyjë për formimin e institucioneve

Kosova

Kosovë: Presidentja Jahjaga mund të ndërhyjë për formimin e institucioneve

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 08:12

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, nuk e përjashton mundësinë që të lehtësojë diskutimet ndërmjet forcave politike nëse ato nuk arrijnë një zgjidhje për tejkalimin e ngërçit politik.

Edhe gati tre muaj pas zgjedhjeve të tetë qershorit, Kosova nuk ka formuar institucionet e reja, për shkak të ndasive të thella politike. Muajin e kaluar Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit të Kosovës, ndërsa e cilësoi detyrë të deputetëve që të gjejnë zgjidhje.

Zëdhënësi i presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, Arbër Vllahiu tha se deputetët kanë mandatin e tyre, që buron nga vota e qytetarëve të vendit, për të gjetur zgjidhje për krijimin e institucionit të Parlamentit të Kosovës. Ai tha se presidentja Jahjaga do të veprojë në bazë të përgjegjësive kushtetuese dhe mandatit të saj duke respektuar plotësisht parimin e ndarjes së pushteteve dhe autonominë e secilit institucion.

“Zgjidhjet nuk mund t’iu imponohen por ato duhet të gjenden nga vetë të zgjedhurit e popullit. Përmbyllja me sukses e krijimit të institucioneve të Kosovës, përmbushë pritjet e qytetarëve dhe ndihmon proceset demokratike nëpër të cilat po kalon vendi, prandaj në këtë kohë duhet një kulturë demokratike dhe pjekuri politike e secilit subjekt politik. Megjithatë në rast të rrezikimit të funksionimit të shtetit dhe pengimit të proceseve, nuk përjashtohet mundësia e lehtësimit të diskutimit ndërmjet forcave politike”, tha zoti Vllahiu.

Gjykuar nga qëndrimet aktuale të partive politike, ndërhyrja për të vendosur dialogun politik duket pothuajse e pashmangshme. Kryetari Partisë Demokratike të Kosovës, që doli e para në zgjedhje, Hashim Thaçi, tha se së shpejti do të mblidhet Parlamenti për të hapur rrugën e krijimit të institucioneve, duke respektuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila tha se kësaj partie i takon të zgjedhë kryetarin e parlamentit si dhe të provojë e para edhe formimin e qeverisë.

“Askush nuk mund ta përmbysë vullnetin e qytetarëve të vendit tonë të shprehur më 8 qershor. Prandaj, unë kam besim të plotë se ne do të gjejmë forcë dhe vullnet të mirë, që t’i ndërtojmë në ditët e ardhshme institucionet stabile dhe efikase, që do ta çojnë Kosovën përpara”, tha zoti Thaçi.

Partia Demokratike e cila ka 37 deputetë, nuk e ka aktualisht numrin e nevojshëm për të zgjedhur kryetarin e Parlamentit, zgjedhje që kërkon të paktën 61 vota.

Pas zgjedhjeve, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, krijuan një koalicion me 47 deputetë më synimin për të formuar institucionet. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ky koalicion do ta lërë Partinë Demokratike në opozitë.

“Nuk parashihet as komunikim, as marrëveshje as negocim, qoftë për postin e krye parlamentarit, qoftë për institucionet e vendit”, tha zoti Haradinaj.

Ai tha se blloku i këtyre tri partive do të kërkojë mbajtjen e mbledhjes së parlamentit nëse këtë nuk e bënë deri në fund të javës, Partia Demokratike. Deputetja më e vjetër Flora Brovina së cilës i takon ta caktojë seancën, kishte deklaruar se do ta bëjë këtë vetëm kur të ketë një marrëveshje ndërmjet partive politike.

Gjykata Kushtetuese tha në vendimin e saj për anulimin e zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit se “askund në Kushtetutë nuk parashihet që dështimi në zgjedhjen e Kryetarit te Parlamentit do të shkaktonte mbajtjen e zgjedhjeve te reja parlamentare”.

Vëzhguesit pohojnë se qëndrimet tërësisht të ndryshme të kampeve politike e bëjnë të domosdoshëm hapjen e dialogut politik të lehtësuar nga presidentja e Kosovës, apo edhe diplomacia perëndimore, qoftë për të formuar institucionet, qoftë edhe për të çuar vendin në zgjedhje të reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat