Gjendja e sigurisë në Kosovë ende e brishtë

Kosova

Gjendja e sigurisë në Kosovë ende e brishtë

Nga: Mimozë Lakna Më: 1 shtator 2014 Në ora: 11:34

Institucionet dhe partitë heshtin karshi rrezikut që po i kanoset vendit, vetëm për të mos i prishur marrëdhëniet me shtetin e Serbisë.

Eksperti i sigurisë Avni Islami në një prononcim për “Bota sot”, thotë se në rast se do të ishte vrarë ndonjë qytetar me përkatësi serbe rasti do të ishte përmendur edhe në OKB.

”Heshtja e institucioneve të Kosovës për vrasjet ne kufirin Kosovë- Serbi është vështir të zbërthehet për arsye se nuk ka logjikë të shëndosh, të vriten qytetarët në zone kufitare dhe të mos jap sqarim kjo është e trishtueshme për qytetarët e Kosovës. Po të ishte vra një qytetar Serb apo i cilit do shtet rasti do të ishte shkuar edhe në OKB”, thotë Islami.

Në fakt mbrëmjen e së premtes disa orë pas ngjarjes në Koshtovë, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj raportoi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, mirëpo nuk e përmendi ngjarjen që kishte tronditur Kosovën atë ditë.

Sipas Islamit, qeveria dhe subjektet politike nuk po reagojnë për shkakun se ende nuk janë formuar institucionet e reja në Kosovë dhe sipas tij partitë politike nuk janë të interesuara që të humbin peshën politike në rrafshin diplomatik dhe ndërkombëtar.

“Deri më sot askush nuk e ka ngrit këtë shqetësim përveç LVV( Vetëvendosje) e cila çdo here në momentet ma te vështira po i gjendet popullit pranë. Qeveria si dhe subjektet e tjera nuk janë duke reaguar për shkak se ende nuk janë formuar institucionet shtetërore të Kosovës, e kur dihet se çfarë ndikimi ka Serbia në Kosovë , atëherë partitë politike nuk janë të interesuara që të humbin peshën politike në rrafshin diplomatik dhe ndërkombëtar”, thekson Islami.

Ai thotë se heshtja e vrasjeve në Podujevë dhe Mitrovicë tregon për brishtësinë e gjendjes së Sigurisë në Kosovë, dhe se Kosova ende është larg objektivave të një strategjie ku qytetari i Kosovës do të ndihej i sigurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat