Bahtiri vizitoi vëllezërit e plagosur Brahimi

Kosova

Bahtiri vizitoi vëllezërit e plagosur Brahimi

Më: 31 gusht 2014 Në ora: 19:14

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka ndërpre pushimin vjetor për shkak të incidentit të rëndë që ndodhi të premten në Koshtovë të Mitrovicës, me ç’rast në rrethana ende të pandriçuara u vra Ardian Brahimi (1997) dhe plagosën dy vëllezërit e tij, Alberti (1995) dhe Albionit (2000).
Me tu kthyer nga Turqia, kryetari Bahtiri ka vizituar vëllezërit e plagosur rëndë Brahimi, që gjenden për mjekim në QKUK të Prishtinës. Ai i shoqëruar ngë mjekët e QKUK-së, së pari ka vizituar Albertin, i cili gjendet i shtrirë në repartin e intensives, të cilin një plumb e kishte qëlluar në gjoks duke i shkaktuar plagë të rënda.
Mjekët i thanë kryetarit Bahtiri se fatmirësisht atij nuk i janë dëmtuar organet vitale dhe se momentalisht nuk është në rrezik për jetë, por duhet të qëndroj në këtë repart për shkak të plagës që i është. Ai ka biseduar edhe me Albertin, i cili i ka thënë kryetarit Bahtiri se po ndjehet gjithnjë e më mirë.
Kryetari Bahtiri ka vizituar edhe Albionin, të cilin e kishin qëlluar tre plumba të dorës mizore, duke i shkaktuar po ashtu plagë të rënda në gjoks, por që fatmirësisht nuk ia kishin dëmtuar organet vitale dhe ai ndjehej mirë. Alberti i tha kryetarit Bahtiri se është në gjendje të kënaqshme dhe se mjekët po përkujdesen mirë për të.
Kryetari Bahtiri ju tha që të dy vëllezërve se ai dhe komuna do të jenë pranë tyre dhe do të bëjnë gjithçka që është e mundur që të mbështesin personelin mjekësor për trajtimin e tyre maksimalisht të mirë, në mënyrë që kurimi të jetë efikas dhe i shpejtë.
Gjatë bisedës, personeli mjekësor e njoftoi kryetarin Bahtiri më konkretisht për gjendjen shëndetësore të dy vëllezërve Brahimi. Ata thanë se gjendja e tyre aktualisht është e qëndrueshme dhe pa komplikime dhe se shpresojnë që çdo gjë të shkoj mirë. Mjekët e QKUK-së falënderuan personelin mjekësor ët spitalit rajonal në Mitrovicë për intervenim urgjent dhe profesional, gjë që ka ndikuar që jeta e vëllezërve të shpëtohet dhe të mos ketë komplikime më serioze.
Kryetari Bahtiri pasi falënderoj mjekët e QKUK-së për intervenim profesional e të shpejtë dhe për përkujdesje të shkëlqyeshme, ju tha atyre, se nëse vlerësojnë se ka nevojë për mjekim edhe jashtë vendit, komuna është e gatshme që të paguaj shpenzimet e mjekimit.
“Është një rast i rëndë që na ka tronditur të gjithëve në Mitrovicë e më gjerë. Vëllezërit e rinj Brahimi njihen si djem të urtë, të sjellshëm e të vyeshëm që bëjnë të gjitha punët që ju ofrohen për të siguruar ekzistencën e familjes, pasi kanë një gjendje të rëndë ekonomiko-sociale. Prandaj komuna do të jetë pranë tyre dhe do t’i ndihmoj dhe mbështesë fuqishëm për të kaluar këtë tragjedi që ju ka ndodhur”, ka thënë kryetari Bahtiri.
Pas vizitës që ju bëri vëllezërve Brahimi, kryetari Bahtiri ka takuar edhe prindërit e tyre, Fatmirën dhe Zymberin. Ai ju shprehu ngushëllime për Ardianin e vrarë dhe i njoftoi ata me vlerësimet e mjekëve për gjendjen e tyre, duke ju thënë se asnjëri nuk e ka jetën në rrezik. Kryetari Bahtiri ju tha atyre se të gjithë qytetarët e komunë dhe më gjerë janë pranë tyre në këto momente të vështira, si dhe i luti ata që të bëhen të fortë, në mënyrë që dhembjen e madhe ta kalojnë më lehtë.
Duke pas parasysh gjendjen e rëndë të familjes Brahimi, komuna e Mitrovicës ka ndihmuar dje atë më 1.000 euro para të gatshme dhe me artikuj të ndryshëm ushqimorë në vlerë prej 300 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat