Hoxhaj kërkon në OKB respektimin e marrëveshjeve nga Serbia dhe mbylljen e UNMIK-ut në Kosovë

Kosova

Hoxhaj kërkon në OKB respektimin e marrëveshjeve nga Serbia dhe mbylljen e UNMIK-ut në Kosovë

Më: 29 gusht 2014 Në ora: 23:50

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në fjalën e tij në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën ka kërkuar nga Serbia që t’i respektoj marrëveshjet e arritura deri më tani dhe të mos inkurajoj destabilizimin e situatës në veri të vendit, duke përmendur rastin e EULEX-it.

“Qeveria e Kosovës ashpër dënon gjithë presionin e mundshëm ndaj personelit të EULEX-it, specifikisht kur është fjala tek arrestimi i kriminelëve të mundshëm që veprojnë në komunat veriore. Përtej kësaj, ne ndajmë shqetësimin serioz se autoritetet e Serbisë nuk janë përpjekur të implementojnë marrëveshjet tjera të arritura në këtë dialog. Gjatë këtij viti, Gjykata Kushtetuese e Serbisë ka revokuar Marrëveshjen mbi Kadastrat dhe atë për njohjen e dyanshme të diplomave universitare”, ka thënë Hoxhaj.

Më tej në fjalën e tij, Hoxhaj ka përmendur rastin e varrezës masive në Rashkë të Serbisë dhe nevojën për t’u identifikuar sa më shpejt civilët shqiptarë të zhdukur që nga viti 1999. “Deri sa po flas para jush, në qytetin e Rashkës në Serbi është zbuluar një varr masiv me rreth 350 trupa të civilëve shqiptarë të Kosovës të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ky nuk është varri i vetëm masiv i civilëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe i zbuluar në Serbi”, ka thënë Hoxhaj, duke përmendur edhe rastin e peticionit për dhunën seksuale të femrave të ushtruar gjatë luftës në Kosovë, që nuk është trajtuar asnjëherë dhe që do t’i adresohet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për të kërkuar nga kjo Organizatë të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe të sjell drejtësinë në vend.

Si të arritura, ministri Hoxhaj ka përmendur organizimin e suksesshëm dhe me standarde demokratike të zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit duke siguruar edhe pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës për të parën herë në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe komunat e banuara me serbë në veri të vendit. “Aktualisht Kosova është në fazën e saj të konsolidimit të Parlamentit të ri. Në proces të konsolidimit të institucioneve të reja, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka qenë institucioni kryesor i cili siguroi fondamentin demokratik dhe kushtetues për të themeluar institucionet legjislative dhe ekzekutive të Kosovës. Në këtë frymë, Kosova së shpejti do të ketë qeverinë e saj të re si dhe përbërja e qeverisë do të jetë gjithëpërfshirëse, shumetnike dhe e përkushtuar të vazhdoj reformat”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij, më 25 korrik të këtij viti, Kosova suksesshëm ka parafuar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim (MSA) me Bashkimin Evropian. “MSA do të jetë marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së dhe do të sigurojë një kornizë të qartë të reformave dhe angazhimit politik me BE-në në procesin integrues të saj. Përtej përfitimeve politike, MSA-ja do të hap tregun e Kosovës për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, do të gjenerojë vende të reja të punës dhe zhvillim ekonomik. Kosova në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, do të vazhdoj të dëshmoj përgjegjësi të lartë politike dhe institucionale”, ka deklaruar Hoxhaj.

Paralelisht me konsolidimin e institucioneve të brendshme, sipas Hoxhajt, Kosova ka shënuar progres në forcimin e pozicionit të saj ndërkombëtar. “Gjatë dy muajve të fundit, Republika Togoleze dhe Ishujt Solomon kanë njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Gjatë qershorit, Kosova po ashtu është anëtarësuar në tri organizata, SEECP, Komisionin e Venedikut të Këshillit të Evropës dhe MARRI”, ka thënë Hoxhaj.

Në fund të fjalimit të tij, kryediplomati kosovar ka ngritur nevojën e mbylljes së prezencës së UNMIK-ut në Kosovë për shkak të rritjes së rëndësisë kritike të BE-së dhe ndryshimit të rrethanave. “Derisa BE po merr rol më të madh në rajon, është e rëndësisë kritike që ky Këshill të konsideroj mbylljen e prezencës së UNMIK-ut në Kosovë, derisa kjo do të ishte në kohë të duhur, kostefektive dhe në përputhje me përkushtimin e OKB-së për të fuqizuar pronësinë lokale dhe strategjitë dalëse të suksesshme. Ne në mënyrë të përgjegjshme i rekomandojmë këtij Këshilli të rikonfiguroj praninë e UNMIK-ut nga misioni aktual në një mision të Zyrës Politike në Kosovë, e cila do të kishte një rol të ri mbështetës në forcimin e institucioneve të brendshme për më shumë përgjegjësi në angazhimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Hoxhaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat