KOMRA kërkon: Të zbulohen varrezat e fshehta

Kosova

KOMRA kërkon: Të zbulohen varrezat e fshehta

Më: 29 gusht 2014 Në ora: 17:06

Një ditë para Ditës Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, Koalicioni për KOMRA, kërkon zbulimin e varrezave të fshehta.

Ka shumë vite që ky koalicion kërkon në mënyra të ndryshme të dijë për fatin e personave të zhdukur që prej fillimit të luftës në ish Jugosllavi, duke tërhequr vërejtjen se pas 23 viteve, mosekzistimi i trupave të 13.000 viktimave të luftës në mënyrë të padyshimtë tregon se kjo është pasojë e drejtpërdrejt e politikave negative të qeverive kundrejt krijimit të kujtimit publik të të vdekurve.

Së fundmi, ky koalicion ka realizuar edhe një klip, ku edhe është titulluar “Të zbulohen varrezat e fshehta”, po ashtu duke rikujtuar kërkimet e shumë familjarëve për të ditur për fatin e të zhdukurve.

“Në luftërat në territorin e ish Jugosllavisë, nga muaji janar i vitit 1991 e deri në fund të vitit 2001, së paku 130.000 njerëz e kanë humbur jetën. Fati i 13.000 njerëzve ende nuk është zgjidhur. Familjet e personave të zhdukur, me vite ecin nga një varrezë në tjetrën, nga një qeveri tek tjetra qeveri, duke shpresuar se do t’i gjejnë të afërmit e tyre dhe t’iu organizojnë varrim të dinjitetshëm”, thuhet në videon e publikuar nga KOMRA.

Me këtë kërkohet që t’iu ndihmohet familjarëve për t’i gjetur njerëzit e tyre të vdekur, që t’i varrosin, që familjeve t’iu jepet vendi publik, ku do t’i vendosin lulet.

Përmes kësaj, KOMRA po ashtu kërkon nga qytetarët që qdo informacion mbi varrezat dhe mbi fatin e ndonjë personi të zhdukur, të mos heshtin.

“Ndihmoni që familjet e personave të zhdukur ta gjejnë paqen. Thirreni Koalicionin për KOMRA në numrin e mëposhtëm: +381 63 393 048

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat