Tahiri u takua me Komandantin e KFOR-it, Farina

Kosova

Tahiri u takua me Komandantin e KFOR-it, Farina

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 19:04

Zëvendëskryeministrja në detyrë Edita Tahiri ka zhvilluar një takim lamtumirës me Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Farina i cili tashmë është në përfundim të misionit të tij si udhëheqës i forcave të NATO-së për Kosovën, KFOR.

Me këtë rast, Tahiri ka falënderuar Komandantin e KFOR-it për angazhim e tij dhe të forcave të NATO-së për progresin e Kosovës duke vlerësuar lartë bashkëpunimin mes Qeverisë së Kosovës dhe NATO-së dhe të KFOR-it për ndërtimin e demokracisë dhe sigurisë në shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës.

Po ashtu, ajo ka theksuar se misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë tashmë që 15 vite vazhdon ta gëzon respekt dhe përkrahje të vazhdueshme nga ana e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se roli i NATO-s dhe i KFOR-it janë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon, ndërkaq Tahiri ka vlerësuar se NATO është partnere strategjike e Kosovës në angazhimet tona për ndërtimin e arkitekturës së sigurisë të shtetit tonë të ri, duke qenë se kemi vlera të përbashkëta euro-atlantike.

Ndërkaq, Komandanti i KFOR-it, Salvatore Farina e ka falënderuar Tahiri dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin e deri tanishëm, si dhe vlerësoi lartë progresin e arritur në Kosovë në periudhën e shërbimit të tij në këtë vend.

Më tej, ai ka thënë se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të jenë në funksion të zbatimit të misionit që kanë për ruajtjen e paqe dhe të sigurisë dhe promovimin e bashkëpunimit dhe të tolerancës.

"NATO dhe KFOR mbeten të përkushtuara që misioni paqeruajtës ka për qëllim ofrimin e ambientit të sigurt dhe stabilitetit të përgjithshëm në vend", ka thënë ai. A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat