Vështirësohet furnizimi me energji elektrike

Kosova

Vështirësohet furnizimi me energji elektrike

Më: 27 gusht 2014 Në ora: 23:56

Shpërthimi që ndodhi pak javë më parë në Termocentralin Kosova A të KEK-ut, dhe i cili la pasoja të mëdha, si në njerëz e po ashtu edhe në dëme materiale, vazhdon të mos jetë në funksion të rregullt.

Si pasojë e këtij shpërthimi, sot janë paraqitu vështirësi në furnizimin me energji elektrike.

Kështu njofton korporata KEDS Energy, e cila përmes një njoftimi thotë se është dalë nga puna njësia gjeneruese B2 në termocentralin B të KEK, njëra prej dy njësive të vetme gjeneruese që prodhonin energji elektrike pas aksidentit në termocentralin Kosova A të KEK.

KEDS, njofton se momentalisht, i gjithë furnizimi me energji elektrike varet nga një njësi gjeneruese në termocentralin Kosova A të KEK dhe nga importi i shtuar jashtë mase që KEDS realizon dhe mbulon në mënyrë që furnizimi të jetë i kënaqshëm që nga aksidenti në Kosova A.

“Përkundër sasive të mëdha të importit të energjisë elektrike, fatkeqësisht kërkesa e konsumatorëve do të jetë më e madhe se ajo e kapaciteteve energjetike andaj edhe jemi të detyruar të bëjmë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike deri sa gjendja në njësinë B2 të sanohet nga KEK. Ende nuk jemi të informuar për orën e saktë të kthimit të njësisë në prodhim sidoqoftë zyrtarë të KEK janë duke punuar që prishja të sanohet në afatin më të shkurtë të mundshëm kohor”, thuhet në njoftim.
KEDS Energy, përmes këtij njoftimi kërkon ndjesë për ndërprerjet eventuale të energjisë elektrike gjatë natës.

Në fund të njoftimit, KEDS, bënë thirrje që qytetarët të kontribuojnë në ditë të tilla të vështira për sektorin e energjisë në Kosovë, duke i lutur qytetarët që të gjithë të përdorin energjinë në mënyrë të përgjegjshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat