Memli Krasniqi - Bllokut: Liderët e vërtetë dinë ta pranojnë edhe humbjen

Kosova

Memli Krasniqi - Bllokut: Liderët e vërtetë dinë ta pranojnë edhe humbjen

Më: 27 gusht 2014 Në ora: 21:50

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë e Sportit, Memli Krasniqi e ka quajtur kushtetues vendimin e Gjykatës Kushtetuese vetëm për shkak se, siç thotë ai, dhënies të drejtë koalicionit që doli fitues nga zgjedhjet e 8 qershorit.
Krasniqi ka thënë se është e papranueshme gjuha me të cilën disa parti e figura politike po e sulmojnë këtë gjykatë.

Ai në profilin e tij në Facebook shkroi se liderët e vërtetë do të duhej të dinë ta pranojnë edhe humbjen dhe të shikojnë përtej interesave momentale, personale e politike.

Ja shkrimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i drejtë dhe kushtetues. Jo pse e konfirmoi të drejtën e PDK-së për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, por sepse ia dha këtë të drejtë partisë/koalicionit që doli fitues nga zgjedhjet e 8 qershorit. Si institucioni më i lartë përfaqësues, Kuvendi duhet të jetë pasqyrë e vullnetit të popullit e jo të degradohet në arenë të kalkulimeve politike paszgjedhore të partive humbëse të zgjedhjeve.

Gjykata Kushtetuese është shembull për punën e pavarur dhe prezenca e gjyqtarëve ndërkombëtar e ka forcuar këtë pavarësi. Fundja, vlerësime të larta për këtë gjykatë kanë dhënë edhe personalitete e institucione ndërkombëtare me renome.

Andaj, është e papranueshme gjuha me të cilën disa parti dhe figura politike po e sulmojnë Gjykatën Kushtetuese. Të njëjtit, po këtë gjykatë, para disa javësh e ngritën në qiell me vlerësimet e tyre. Si u bë që tash, vetëm disa ditë më vonë, po japin vlerësime diametralisht të kundërta?!

Frustrimet e momentit duhet t’i lëshojnë rrugë racionalitetit politik. PDK gjithmonë ka respektuar vendimet e institucioneve të pavarura, edhe kur ato nuk kanë qenë të favorshme për ne. Për PDK-në, gjithmonë në rend të parë do të jetë interesi shtetëror e qytetar dhe shpresoj se edhe akterët e tjerë politik dhe shoqëror do ta ndjekin këtë mendësi.

Gara politike në demokraci është e gjatë. Ndonjëherë fiton, ndonjëherë humb. Liderët e vërtetë dinë ta pranojnë edhe humbjen dhe ata do të duhej të shikojnë përtej interesave momentale personale e partiake. Të tillët, nëse ka ndonjë në bllokun opozitar, para së gjithash duhet të dëshmojnë respekt për interesat e vendit, të pranojnë vendimet e institucioneve të pavarura dhe të tërhiqen nga bllokada e panevojshme politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat