​Policia e Kosovës trajnohet për transferimin e personave të arrestuar

Kosova

​Policia e Kosovës trajnohet për transferimin e personave të arrestuar

Më: 22 gusht 2014 Në ora: 14:29

Dhjetë pjesëtarë të Njësisë për Mbrojtje të Afërt të Policisë së Kosovës kanë përfunduar një trajnim të avancuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, mbi praktikat e mira gjatë transferimit të personave të arrestuar që kërkohen nga Kosova apo ndonjë juridiksion tjetër.
Ky trajnim pesë ditorë ka përfunduar sot në Lipjan.
Sipas një njoftimi të OSBE-së, trajnimi ka qenë vazhdim i një kursi bazik i mbajtur në nëntor të vitit të kaluar, dhe është përqendruar në transferimin e të burgosurve me rrezikshmëri të lartë nga dhe për në Kosovë, dhe ka përfshirë ushtrime praktike dhe simulime.
“Qëllimi kryesor i këtij trajnimi ka qenë zhvillimi i njohurive brenda Policisë së Kosovës pasi që këta pjesëmarrës do të kenë për detyrë të ofrojnë trajnimin e njëjtë për oficerët e tjerë që do të caktohen në këtë njësi në të ardhmen”, tha Dushko Zavishiq, Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Kurrikula e trajnimit ka mbuluar bazën ligjore për transferimin e personave të arrestuar; operacionet e transferimit me automjete, autobus dhe aeroplan; masat e sigurisë si dhe teknikat dhe metodat për taktika defanzive dhe ofanzive para, gjatë, dhe pas transferimit.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ofron trajnime të avancuara dhe të specializuara për agjencitë për zbatim të ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat