Për Kuvendin, Grupi më i madh parlamentar është LDK-AAK-Nisma

Kosova

Për Kuvendin, Grupi më i madh parlamentar është LDK-AAK-Nisma

Më: 22 gusht 2014 Në ora: 12:35

Ndonëse është kontestuese se cili është grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës, në faqen zyrtare të Kuvendit tashmë si grupi më i madh parlamentar paraqitet ai LDK-AAK-Nisma.

Në seancën dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese që u mbajt të enjten, diskutimi më i madh u bë rreth dilemës se kush është grupi më i madh parlamentar. Por një dilemë të tillë nuk e ka sekretaria e Kuvendit të Kosovës. Në faqen zyrtare të Kuvendit, tashmë si grupi më i madh parlamentar me 47 deputetë figuron ai i bllokut LDK-AAK-Nisma. Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi ka pranuar të përgjigjet vetëm me shkrim, duke thënë se kjo është bërë në bazë të deklarimit të deputetëve nga LDK, AAK dhe Nisma.

I pyetur se a konsiderohet i formuar ky grup, kur dihet se është kontestuese dhe se çështje ende është në Gjykatën Kushtetuese, Krasniqi i është referuar nenit 20 të Rregullores së punës së Kuvendit, në pikën 1 të të cilit thuhet se deputetët mund të formojnë grup parlamentar sipas përkatësisë së tyre partiake ose të përcaktimeve programore. Por, në pikën 2 të këtij neni thuhet se për formimin e një grupi të ri parlamentar duhet të njoftohet me shkrim kryetari i Kuvendit.

Në këtë pikë është referuar edhe deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami gjatë paraqitjes së argumenteve në Gjykatën Kushtetuese.

“Derisa nuk zgjedhet kryetari nuk mund të bëjnë lëvizje nga një grup në një grup tjetër parlamentar”, ka thënë Bajrami.

Por, Vjosa Osmani ka thënë për formimin e grupit është njoftuar kryetari i deritashëm i Kuvendit dhe se ky nuk është rasti i parë.

“Kemi precedente të formimit të grupeve parlamentare me qëllim që ta fitojnë të drejtën kushtetuese për propozim të nënkryetarit, nga Grupi 6 plus”, tha ajo.

I pyetur nëse Sekretaria e ka paragjykuar grupin më të madh parlamentar duke e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit ende pa u dhënë një vendim nga Kushtetuesja, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi ka thënë shkurt se grupin parlamentar nuk e ka formuar administrate, por deputetët. Në faqen zyrtare të Kuvendit nuk është i përfshirë edhe Grupi Parlamentar i PDK-së. Krasniqi tha se PDK-ja ende nuk është deklaruar sa i përket grupit parlamentar.

Ndryshe, çështje e formimit të grupit parlamentar nga blloku LDK-AAK-Nisma është kontestuar në seancën konstituive të 17 korrikut, dhe si rezultat i kësaj është kontestuar edhe zgjedhja e Isa Mustafës kryetar i Kuvendit, me të cilën çështje tani po merret Gjykata Kushtetuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat