Mbyllet seanca në Gjykatën Kushtetuese, vendimi më vonë

Kosova

Mbyllet seanca në Gjykatën Kushtetuese, vendimi më vonë

Më: 21 gusht 2014 Në ora: 08:12

(I plotësuar) - Seanca e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e PDK’së për seancën konstituive ka përfunduar. Aty nuk është ushtruar asnjë pyetje nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Enver Hasani ka thënë se vendimi lidhur me këtë seancë do të votohet nga gjyqtarët dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Ndryshe, partitë politike, kanë dhënë argumentet e tyre lidhur me seancën konstituive në një përballje prej 1 orë e 20minuta.
Enver Hasani ua tërheq vërejtjen deputetëve: Mos gjuani me gjuhë asnjërën palë

Enver Hasani, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ua ka tërhequr vërejtjen deputetëve që po paraqesin faktet e tyre në seancën që po mbahet në Gjykatën Kushtetuese.
Ai iu është lutur atyre që të mos e gjuajnë njëri-tjetrin me fjalë, duke iu referuar fjalëve të Arsim Bajramit i cili tha se thirrja e Vjosa Osmanit ishte hipokrite.
Arsim Bajrami: Osmani e Gjini po i shtrembërojnë faktet

Arsim Barjami ka replikuar ndaj deklaratave të zyrtarëve të LDK’së dhe AAK’së, duke thënë se me këtë rast po shtrembërohen

“Thirrja në popull e Vjosa Osmanit ishte thirrje hipokrite”, ka thënë Bajrami, duke iu referuar deklaratës se vullneti i popullit ishte shprehur edhe ne seancën konstituive.

Bajrami ka thënë se themelimi i grupeve parlamentare bëhet në fund të seancës konstituive.

Ai ka thënë se mandati i deputetëve është i partive politike.

“PDK ka dalë partia fitruese me 37 mandate. Ne nuk kemi mandat imperativ. Revokimi është antikushtetuese. Secili deputet pas dhënies së betimit ka të drejtë për ta ndërruar apo bashkuar me grupe tjera”, ka thënë ai.
Gjini: Mandati është i deputetëve e jo i partisë

Nënkryetari i AAK’së, Ardin Gjini, ka replikuar me Arsim Bajramin sa i përket përcaktimit të ulëseve të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se neneve që i është referuar Arsim Barjami nuk ka të bëjë me ulëset por me mandatet e deputetëve.

Edhe sa i përket krijimit të grupeve parlamentare, Gjini ka thënë se pyetja se cili është grupi më i madh parlamentar është i thjeshtë dhe përcaktohet nga numri.

“Grupi më i madh është ai grup që ka një deputet më shumë”, ka thënë Gjini.

Mirëpo, sipas tij, PDK gabimisht ka bërë pyetje se a kanë të drejtë të bëhen bashkë në një grup parlamentar.

Gjini ka thënë se është në kundërshtim me logjikën parlamentare dhe kushtetuese që mandati i deputetëve është i partisë.

“Mandati është i deputetëve jo i partisë”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, Gjini ka kërkuar interpretim nga Gjykata se i kujt është mandati i deputetëve.

Albulena Haxhiu: Kërkesa e PDK’së është e pabazuar

Përfaqësuesja e Vetëvendosjes në seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese, Albulena Haxhiu, ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka shkuar në bazë të rregullave.
Sipas saj, kërkesa e PDK’së nuk ka mbulesë juridike, pasi s’janë shterur mjetet juridike para se të shkohet në Gjykatën Kushtetuese.

Haxhiu ka qortuar Gjykatën Kushtetuese se pse s’kanë cituar bazën juridike për të mbështetur vendimin për pezullimin e Kryetarit të Kuvendit.

Kjo zyrtare e VV’së ka thënë se Gjykata Kushtetuese s’është e autorizuar të bëj interpretime të Grupeve Parlamentare dhe as të interpretojë Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Vjosa Osmani: Deputeti ka mandatin e lirë, jo detyrues

Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, ka mbrojtur kushtetutshmërinë e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Osmani ka mbrojtur idenë e formimit të Grupit Parlamentar se mund të bëhet edhe para seancës konstituive.

Sipas saj, deputeti ka të drejtë të vendos se cilit grup parlamentar duhet t’i takoj.

“Mandati i deputetit sipas Gjykatës kushtetuese është i pacenueshëm”, ka thënë ajo.
Arsim Bajrami: Marrëveshja LDK-AAK-NISMA antikushtetuese

Nënkryetari i PDK’së, Arsim Bajrami, i cili po përfaqëson PDK’në në Gjykatën Kushtetuese, ka thënë se marrëveshja e arritur mes Partisë së Isa Mustafës, Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt është antikushtuese.
Bajrami, ka thënë se PDK konteston tri nene të Gjykatës Kushtetuese, duke filluar nga shkeljet që kanë ndodhur gjatë seancës.

“Të gjitha praktikat parlamentare janë shkelur. Vlerësojmë se në procedurën paraprake janë bërë dy shkelje të Kushtetutës.... Kontestojmë vendimin e zgjedhjes së Kryerit të Kuvendit”, ka thënë Bajrami.

Nis seanca në Gjykatën Kushtetuese, flet Enver Hasani

Enver Hasani ka thënë se para gjykatës do të dëgjojnë vetëm argumentet juridike lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka kërkuar të prezantohen përfaqësuesit të partive politike, duke filluar nga Arsim Barjami i PDK’së, Vjosa Osmani LDK-AAK-NISMA.

“Argumentet duhet të jenë të natyrës kushtetuese”, ka thënë Hasani, para anëtarëve të partive politike.

Të gjithë arrijne në Gjykatë Kushtetuese, minoritetet presin veprim të drejtë

Vjosa Osmani dhe Arsim Bajrami që në ora 09:00 kanë arritur në Gjykatën Kushtetuese ku pritet të mbahet seanca dëgjimore. Disa minuta më vonë ka arritur dhe Ardian Gjini.
Në Gjykatë pritet që të arrijnë dhe përfaqësues të partive tjera politike, ku dhe pritet të filloi seanca në ora 10:00.

Ndërsa para se të hynte në Gjykata Kushtetuese, Nenad Rashiq nga grupi i minoriteteve tha se krejt çka pret sot është që Gjykata të veproj drejtë.

Tani në Gjykatë ka arritur edhe Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje.

Sot përballja e partive politike në Gjykatën Kushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës dhe blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, të përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje, sot do të ballafaqojnë argumentet dhe kundër-argumentet e tyre në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas ekspertit të çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, pas hapjes së seancës do t’i jepet fjala përfaqësuesit të kërkesës së koalicionit parazgjedhor që e prezanton çështjen, më pastaj i jepet fjala përfaqësuesit së koalicionit pas zgjedhor, për të vazhduar me diskutimin e hapur, ku do të ketë pyetje nga të dy palët dhe ku bëhet administrimi i provave.

Ai ka shtuar se në momentin që shteren të gjitha këto polemika dhe debati, atëherë do të përfundoi seanca publike dhe anëtaret e kolegjit e diskutojnë çështjen dhe më pastaj votohet.

Votimi sipas tij, bëhet i fshehtë, hapen zarfet konstatohen sa janë për, e sa kundër dhe quhet vendim, I cili është i zbatueshëm.

Seanca dëgjimore është thirrur duke u bazuar në kërkesën e PDK-së në lidhje me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në seancën e parë konstituive më 17 korrik.

Në bazë të kësaj kërkese, Kushtetuesja më pas kishte pezulluar postin e kryetarit të Kuvendit, që mbante lideri i LDK-së, Isa Mustafa, deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

PDK si përfaqësues të sajin në këtë përballje ka caktuar profesorin e të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami.

Derisa partnerët e bllokut LDK-AAK-Nisma, ditë më parë kanë bërë të ditur se në përballjen në Gjykatën Kushtetuese, do të përfaqësohen nga deputetja Vjosa Osmani.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje, do të përfaqësohet nga deputetja Albulena Haxhiu dhe këshilltari ligjor i Lëvizjes VV Armend Shkoz.

Sipas pozicioneve të njohura tashmë, PDK-ja pritet ta konsiderojë jo kushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës në seancën e 17 korrikut, duke pretenduar se vetëm kjo parti politike mund të ketë kryetarin e Kuvendit.

Kurse, blloku LDK, AAK dhe Nisma do të mbrojë votimin për Mustafën në seancën e 17 korrikut dhe do të kërkojë që të vazhdojë puna e nisur e Kuvendit dhe zgjedhja e të gjitha organeve të reja.

Ndryshe, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pritet të qartësojë situatën dhe të nxjerrë vendin nga ngërçi politik, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit. Por nuk përjashtohet edhe mundësia që vendi të dërgohet në zgjedhje të reja të parakohshme

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat