VV-ja të heq dorë nga kushti për udhëheqjen e bisedimeve, ato i udhëheq LDK-ja!

Kosova

VV-ja të heq dorë nga kushti për udhëheqjen e bisedimeve, ato i udhëheq LDK-ja!

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 20 gusht 2014 Në ora: 11:23

Kushtet e VV-së për t'u bërë pjesë e koalicionit me LDK-AAK-NISMA për krijimin e Qeverisë, janë paksa të tepruara, vlerëson Faik Krasniqi publicist dhe anëtar i ekspertëve të LDK-së.

“Ajo në rast se dëshiron të bëhet pjesë e këtij koalicioni qeverisës, duhet të heq dorë nga kushti që ata t'i udhëheqin bisedimet. Bisedimet me Serbinë duhet t'i udhëheq LDK-ja, si partia më e madhe e koalicionit. Kurse partnerët e koalicionit, e në këtë rast edhe VV-ja, të jenë pjesë e bisedimeve”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, VV-ja duhet të heq dorë nga ky kusht dhe për të mirën e Kosovës duhet të bëhet pjesë e Qeverisë, bashkë me koalicionin LDK-AAK-NISMA.

“Me VV-në do kishim një Qeveri me 63 deputetë shqiptarë, dhe Qeveria e Kosovës nuk do të ishte e varur nga votat e ''Listës serbe''. Nëse ata e kanë ndarë mendjen që mos të futen fare në Qeveri, vetë si parti do të dëmtohen, sepse në sytë e opinionit do të shikohen si parti joserioze dhe e papërgjegjshme dhe kjo gjë mund t'iu kthehet bumerang. Por prapë kam shpresë se VV-ja do të tregoj pjekuri politike dhe do t'i bashkëngjitet koalicionit LDK-AAK-NISMA për krijimin e Qeverisë. Me ose pa VV-në Qeveria e Kosovës nga koalicioni LDK-AAK-NISMA do të krijohet. Kjo gjë ka marrë fund. Në shtator do të kemi Qeverinë e re dhe PDK-ja do të shkojë në opozitë”, thotë Faik Krasniqi.

Edhe diplomatët e huaj, sidomos ata gjermanë, ia kanë bërë të qartë koalicionit LDK- AAK-NISMA, se në asnjë mënyrë nuk guxojnë t’i nënshtrohen kërkesave të Vetëvendosjes, aq më pak, që t’i lejojë lëvizjes së Albin Kurtit, t’i prijë bisedimeve me Serbinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat