Shpendi e lë Barilevën të zhytet në mbeturinat e të tjerëve!

Kosova

Shpendi e lë Barilevën të zhytet në mbeturinat e të tjerëve!

Më: 20 gusht 2014 Në ora: 00:41

Barileva vazhdon të njihet si njëri ndër vendet më të zhvilluara rurale, jo vetëm në Komunën e Prishtinës, por edhe në Kosovë. Ketë fakt e kanë konfirmuar thuajse të gjithë liderët e partive politike kosovare gjatë vizitave të shumta që i bënë këtij fshati në fushatat zgjedhore për zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare në Kosovë.
Veçanërisht shumë i zëshëm me premtime dhe lëvdata për Barilevën kishte qenë kryetari i tanishëm i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti. Edhe pas zgjedhjeve, në tubimin e parë të mbajtur me 13 Mars 2014 me banorët e këtyre trevave, kryetari i Komunës së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Inspeksionit, z. Xhelal Sveçla, vazhduan me premtimet për të kontribuar në evitimin e problemeve emergjente për këtë fshat dhe për të kontribuar në zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij fshati, shembullin ma të mirë për Kosovën.
Sikurse edhe disa herë më parë, banorët kërkuan edhe me këtë rast, që Komuna menjëherë të filloi me pastrimin e mbeturinave në hyrjet e këtij fshati. Mbeturina këto që sillen në mënyrë të pa kontrolluar nga banorë te fshatrave fqinje, por edhe banorë dhe organizata afariste që gravitojnë në qytetin e Prishtinës dhe komunën e Obiliqit. Duke parë katastrofën ekologjike dhe dëmin e madh që po i shkaktohet ambientit, tokës pjellore dhe ujit të pijshëm në këtë fshat, banorët - me ndihmën e bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit - kishin përgatitur një projekt-propozim detal për të mbledhur dhe menaxhuar këto mbeturina. Ky projekt-propozim iu dorëzu Kryetarit Ahmeti gjatë këtij takimi. Gjithashtu, banorët e Barilevës dhe të Drenocit edhe këtë herë shprehen gatishmërinë për të participuar financiarisht në implementimin e menjëhershëm të këtij projekti. Me këtë rast, Kryetari Ahmeti u premtoi banorëve që ky projekt do filloj së implementuari më së largu brenda një jave dhe kjo gjendje katastrofale do të evitohet menjëherë duke sjell punëtorët e Hortikulturës për largimin e mbeturinave (shiko videon nga ky takim: https://www.youtube.com/watch?v=XSLjXkYU_48).
Që nga 13 Marsi kanë kaluar më shumë se 5 muaj dhe Komuna e Prishtinës nuk ndërmori asgjë për ta evituar këtë katastrofë ekologjike që po i kërcënohet Barilevës, që jo rrallë në popull quhet edhe si “hambari dhe kopshti i Prishtinës”. Si rrjedhojë, Barileva vazhdon të zhytet në mbeturinat e fshatrave dhe të qytetit të Komunës së Prishtinës dhe Obiliqit dhe premtimet duket se janë harruar tërësisht. Këtë gjendje katastrofale në njërin nga fshatrat më të zhvilluara të Kosovës më së miri e dokumentojnë fotografitë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat