Vitin e ardhshëm 5 milionë euro për rrugët në Prishtinë

Kosova

Vitin e ardhshëm 5 milionë euro për rrugët në Prishtinë

Më: 19 gusht 2014 Në ora: 20:28

Komuna e Prishtinës planifikon që për vitin 2015 të ndajë 5 milionë euro për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve urbane dhe rurale, ndërsa për vitin 2016-2017 planifikon 6 milionë të tjera.
Kështu ka thënë kryetari i kësaj komune Shpend Ahmeti në një iskutim publik me qytetarët e Prishtinës.

Ahmeti ka thënë se diskutimet janë duke u bërë pikërisht në muajin gusht, pasi që sipas tij, janë të detyruar me ligj që deri më 1 shtator të dorëzohet draft buxheti në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Ai tha se deri me 30 shtator të këtij viti, do të dorëzohet buxheti i aprovuar nga Kuvendi Komunal që pastaj ajo procedohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe pastaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në diskutimin për Infrastrukturën në kryeqytet, Ahmeti ka thënë se rrugët e vogla që kanë mbetur pa shtruar janë një diskrecion që çdo vit të vendosen në bazë të kërkesave që bëhen nga bashkësitë lokale dhe nga qytetarët.

“Drejtoria e infrastrukturës është njëra prej drejtorive e cila me buxhetin e vet e ka diskrecionin që çdo vit diku do me thënë vitin 2015 kemi vendosur 5 milionë, vitin 2016-2017 nga 6 milionë, të cilat janë për rrugë urbane dhe për rrugë rurale, s’po infrastrukturë urbane dhe rurale. Të cilat janë rrugët e vogla që kanë mbetur pa shtruar 800 m këtu 1 km aty, këto janë një diskrecion që çdo vit e vendosim në bazë të kërkesave që vinë edhe prej bashkësive lokale por edhe nga qytetarët, si prioritete. Natyrisht i shohim ato që janë më problematike, ndërsa ato që janë më të mëdha si projekte janë të vendosura në mënyrë specifike”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti tha se në të ardhëm kanë dy projekte, ndërtimi i rrugës mbi lumin Mat dhe ndërtimi i rrugës mbi lumin Prishtina.

Ai tha se në vitin e ardhshëm synojnë që ta bëjnë një vlerësim të unazës qendrore në Komunën e Prishtinës.

Por, ai tha se një projekt i tillë është i vështirë për ta realizuar vet Komuna e Prishtinës.

Ndërsa gjatë këtij diskutimi pyetje të ndryshme u shtruan edhe nga qytetarët.

Faton Spahiu, banor i lagjes “Kalabria” tha se është i interesuar të di më shumë detaje rreth mbulimit të kolektorit mbi lumin Prishtina, se kur do të realizohet.

E Shkëlzen Berila banor i lagjes Kodra e Trimave, ka pyetur dhe ka kërkuar që të rregullohet ndriçimi në lagjen “Tokë Bahçe” si dhe të bëhet asfaltimi i shumë rrugëve që nuk janë të asfaltuara.

Drejtor për Infrastrukturë në Komunën e Prishtinës, Hysen Durmishi, i është përgjigjur pyetjeve dhe kërkesave të qytetarëve.

Ai ka thënë se në lagjen “Kalabria”, është shpallur tenderi dhe është bërë hapja e ofertave për kolektorin mbi lumin”Mat”.

Ndërsa për lagjen “Kodra e Trimave”, ai tha se për kundër problemeve të shumta të rrugëve në këtë lagje për këtë vit si drejtori kanë mundësitë që vetëm kanalizimet të zgjidhen, kurse rrugët do të mbeten ende problematike e pa zgjidhur.

“Sa i përket Kalabrisë ne veç e kemi shpallur tenderin dhe sot është bërë hapja e ofertave për kolektorin mbi lumin Mat që kalon nëpër “Kalabri”, bëhet fjalë për kolektorin prej rrugës që shkon për Shkup, kah banesat e Arabëve aty dhe shkon kah Prishtina. Atje fillojnë punimet shumë shpejt dhe është një projekt shumë i madh dhe trajtohen edhe ujërat e zeza dhe ujërat përmes këtij kolektori. Ndërkohë në buxhet e kemi vazhdimin e këtij kolektorin edhe rrugën mbi kolektor vitin e ardhshëm....... Edhe vazhdimi i kolektorit mbi lumin Prishtina është i paraparë për vitin e ardhshëm ku i keni të paraparë 1 milionë e gjysmë buxhet për vitin e ardhshëm, në qoftë se natyrisht miratohet ky buxhet qysh ne e kemi paraparë. Kemi shumë probleme qysh e përmendi edhe kryetari me pronat dhe shumica e rrugëve në Kodrën e Trimave janë trajtuar me kubëza, pikërisht për shkak kësaj problematike, dhe ato të cilat kanë mbetur qysh është edhe “Rexhai Surroi”, do të mundohemi me i përmbyll edhe ato rrugica që kanë mbet pa përfunduar me i përmbyll me kubëza. Gjithashtu atje është rruga edhe një kanalizim që janë përgatitur gati për tenderim është rruga “Ibrahim Fehmiu”, ajo rruga që ka mbet pa përfunduar që deri lart atje do ta shkatërronte qytetin shumë për shkak që shkatërron rrugën “Vëllëzrit Fazliu” dhe përfundon rruga “Ibrahim Fehmiu”. Rrugën nuk kemi mundësi si vjet me e përkundu sepse kemi disa probleme pronësore që duhet ti zgjidhim atje mirëpo kanalizimin do ta zgjidhim sivjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat