HIB Petrol: I forti Shpend Ahmeti të mos e paragjykojë fajësinë tonë

Kosova

HIB Petrol: I forti Shpend Ahmeti të mos e paragjykojë fajësinë tonë

Më: 19 gusht 2014 Në ora: 17:08

HIB Petrol lut prokurorinë që ta kryejë punën në mënyrë profesionale, sa më shpejtë dhe pa u ndikuar nga presioni i kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, në mënyrë që edhe të vihet në vend dinjiteti dhe të rikonfirmohet imazhi i mirë i kompanisë, i lënduar nga akuzat e pabaza.
Duam t’ia rikujtojmë opinionit publik se HIB Petrol ka ushtruar një padi ndaj Komunës së Prishtinës pikërisht për dëmtim të imazhit dhe pret që e njëjta po ashtu të procedohet nga organet e drejtësisë, thuhet në kumtesën e HIB Petrolit.
Mirëpo, si dhe deri më tash, e tëra që kompania jonë do të ofrojë është bashkëpunimi me institucionet e shtetit dhe asnjëherë ushtrimi i ndikimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në to. Besojmë thellësisht se në fund do të provohet e drejta në anën tonë.
Po ashtu, e lusim kryetarin Ahmeti, të mos paragjykojë fajësinë tonë duke na quajtur “të pasur” ose “të fortë”, por duke harruar se ai është i forti në këtë mes, meqë është i pari i kryeqytetit dhe njeriu i dytë në partinë e tretë më të madhe në Kosovë.
Ne mbesim me shpresë së gjyqësori i Kosovës do t’ia dalë ta ruajë pavarësinë deri në fund dhe asnjëherë të mos bie pre e presioneve ose shantazheve të politikës, përfundon kumtesa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat