SHMK: Mos na e ndalni Matematikën, fajet i ka Rektorati jo ne

Kosova

SHMK: Mos na e ndalni Matematikën, fajet i ka Rektorati jo ne

Më: 19 gusht 2014 Në ora: 17:02

Për mosakreditimin e programit të Matematikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka reaguar sot edhe Shoqata e Matematikanëve të Kosovës.
Në një reagim të gjatë që i janë drejtuar institucioneve të vendit e po ashtu edhe medieve, Shoqata e Matematikanëve, i ka quajtur të kota arsyetimet e Agjencionit të Akreditimit të cilët kanë thënë se mosakreditimi ka të bëjë me qështje procedurale dhe mosaplikimi me kohë.

Por kjo sipas Shoqatës së Matematikanëve, është pasojë e çrregullimit të punës në Rektoratin e UP në një periudhë kohore paraprake (për arsye tashmë të njohura).

Shoqata e Matematikanëve nuk pajtohet me mbylljen e një programi i cili sipas tyre ka ekzistuar që në zanafillën e krijimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë, më shumë se një gjysmë shekulli më parë.

“Të theksojmë se ky program (si edhe programet e tjera të studimeve në Departamentin e Matematikës) kanë qenë të akredituara në periudhat paraprake nga AAK, gjë që tregon se arsye për mos akreditim, kësaj radhe, nuk mund të jetë cilësia e punës në këtë Departament”, thuhet në një reagim të kësaj shoqate.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës shpreson se do të gjendet një zgjidhje e drejtë e këtij problemi dhe beson se një gjë e tillë është e mundur të bëhet. E meqë po afrohet koha e shpalljes së Konkursit plotësues nga ana e UP-së për pranimin e studentëve të rinj, Shoqata e Matematikanëve të Kosovës u bënë thirrje të gjitha organeve kompetente: Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Rektoratit të UP-së, Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, që të ushtrojnë ndikimin e tyre pozitiv në zgjidhjen e këtij problemi dhe që në Konkursin plotësues të UP-së për pranimin e studentëve të rinj të përfshijë edhe pranimin e numrit të paraparë të studentëve në drejtimin e Matematikës të Departamentit të Matematikës të FSHMN-së.

Kërkesës së tyre, kjo shoqatë ia ka bashkangjitur edhe disa fakte:

1.Departamenti i Matematikës ka një staf të kualifikuar i cili me përkushtim dhe profesionalizëm zhvillon veprimtarinë në ngritjen e kuadrove të matematikës për më shumë se një gjysmë shekulli.
2.Nevoja për kuadro të matematikës në të gjitha nivelet e shkollimit parauniversitar është e madhe;
3.Drejtimi i Matematikës i Departamentit të Matematikës të FSHMN-së është i vetmi drejtim në kuadër të UP-së që përgatitë me kompetencë kuadrin për mësimdhënie të matematikës në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar dhe pasuniversitar.
4.Interesimi i nxënësve për të ndjekur studimet në drejtimin e Matematikës është i madh (me dhjeta studentë, gjatë ditëve të kaluara, kanë shprehur interesimin e tyre për të studiuar në drejtimin e Matematikës );
5.Studimi i shkencave matematike është prioritet i çdo shoqërie të mirëfilltë;
6.Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, në bashkëpunim me Departamentin e Matematikës, ka ndikuar dukshëm në ngritjen e cilësisë së mësimit të matematikës në nivelet e arsimit parauniversitar dhe, si rrjedhojë e kësaj, vitet e kaluara kemi pasur prurje kualitative të studentëve pikërisht në drejtimin e Matematikës. Mos regjistrimi i studentëve të rinj në këtë drejtim do të pamundësonte zhvillimin e talenteve të rinj nga lëmi i matematikës gjë që do të ishte një humbje e madhe për zhvillimin e mirëfilltë të shoqërisë tonë.
Sipas tyre, mos përfshirja e regjistrimit të studentëve të rinj në drejtimin e Matematikës do të ishte një shkëputje e veprimtarisë kryesore më shumë se pesëdhjetëvjeçare të Departamentit të matematikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat