Jahjaga: Vullnetarët forcojnë marrëdhëniet me Amerikën

Kosova

Jahjaga: Vullnetarët forcojnë marrëdhëniet me Amerikën

Më: 19 gusht 2014 Në ora: 15:17

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim Drejtoreshën e Korpusit të Paqes, Carrie Hessler-Radelet me bashkëpunëtorë, të shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-ve në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.

Presidentja Jahjaga e ka shprehur mirënjohjen e saj për vendimin e Korpusit Amerikan të Paqes për ta shtrirë programin e vullnetarëve të saj në Republikën e Kosovës, duke e bërë Kosovën vendin e 140-të në botë ku vepron kjo organizatë.

Gjatë takimit Presidentja Jahjaga e ka vlerësuar përmbylljen e suksesshme të programit trajnues intensiv ku 25 vullnetarët e rinj amerikanë kanë mësuar për kulturën dhe traditën kosovare, i janë nënshtruar kurseve intensive për gjuhët vendore dhe kanë ndjekur trajnime teknike.

Ajo ka theksuar se kontributi i këtyre vullnetarëve është shumë domethënës për ato vende ku ata do të punojnë drejtpërdrejtë me fëmijët nëpër shkolla, por edhe për forcimin e marrëdhënieve midis dy popujve.

Drejtoresha e Korpusit të Paqes Carrie Hessler-Radelet falënderoi Presidenten Jahjaga, institucionet e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e vendit për pritjen e ngrohtë që ia kanë bërë programit të Korpusit të Paqes dhe 25 vullnetarëve amerikanë që tashmë janë vendosur në shumë qytete të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat