Zhvillimet aktuale vonojnë themëlimin e Gjykatës Speciale

Kosova

Zhvillimet aktuale vonojnë themëlimin e Gjykatës Speciale

Më: 18 gusht 2014 Në ora: 08:52

Zhvillimet aktuale në skenën politike në Kosovë, po ndikojnë edhe në vonesën e themelimit të Gjykatës Speciale për krime në Kosovë.

Vonesa në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por edhe qeverisë, do të vonojë edhe në Themelimin e Gjykatës Speciale për krime në Kosovë. Madje ditë më parë është raportuar se në rast të dështimit të krijimit të institucioneve të reja, çështja e Gjykatës Speciale mund t’i kalojë Këshillit të Sigurimit. Edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës, Ban Ki Moon ka kërkuar që më së largu deri në fillim të viti të ardhshëm të funksionalizohet kjo Gjykatë, e cili do të merret me krimet e supozuara të UÇK-së.

Shpend Kursani, analist i pavarur thotë se duke parë trendet e zhvillimit të skenës politike në vend, nuk pret që kjo Gjykatë, të krijohet deri në pranverën e ardhshme.

”Mendoj që përfundimisht krijimi i kësaj gjykate varet nga koha që do të merrte konsolidimi i kuvendit dhe qeverisë së ardhshme të Kosovës, gjë e cila do ta kepur prioritet krijimin e kësaj gjykate. Mirëpo duke i marr parasysh rrethanat aktuale, nuk besoj që kjo gjykatë do të krijohet deri në pranverën e vitit të ardhshëm, që i bie edhe aktakuzat nuk mund të ngritën deri atëherë, ose edhe më vonë. “

Edhe Genc Nimoni nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se kjo vonesë e krijimit te kuvendit, do të ketë ndikimet e saj në këtë çështje.

“ Pa konstituimin e Kuvendit natyrisht asnjë ligj nuk mund të miratohet , kështu që vonesa e konstituimit shkakton vonesën e miratimit.”

Ndryshe, në prill të këtij viti Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi EULEX-in dhe themelimin e Gjykatës Speciale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat