Hyrja e Listës serbe në qeveri rrezik për Kosovën

Kosova

Hyrja e Listës serbe në qeveri rrezik për Kosovën

Më: 17 gusht 2014 Në ora: 11:26

Derisa përfaqësues të Listës serbe paralajmërojnë kushte për të qenë pjesë e partneritetit për krijimin e institucioneve, analistët politikë e shohin këtë si rrezik për fuqizim të Beogradit në Kosovë.

Krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe jashtë kornizës kushtetuese për disa analistë është pikë e ndjeshme. Por ka edhe të atillë që mendojnë se duhet hapur debat për zhbërjen e potencialit të krijimit të këtij asociacioni.

Për të qenë pjesë e institucioneve të Kosovës, Lista serbe tashmë edhe publikisht po kërkon edhe krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ani pse kjo është paraparë edhe me marrëveshjen e Brukselit.

Albert Krasniqi, hulumtues në KIPRED thotë se krijimi i këtij asociacioni është një garancion i ratifikuar në Kuvend, por duhet pasur kujdes se me çfarë kompetencash do të jetë ai.

“ Gjithçka varet te statuti që do të ketë ky asociacion, kompetencat të cilat do të përfshihen dhe do të varet shumë nëse do të jetë në kuadër të Kornizës ligjore të Kosovës dhe asgjë më shumë se çfarë kanë asociacionet tjera . Atëherë gjithcka do të ishte në rregull dhe kjo do të ishte vetëm një pikë të cilën ata po mundohen që duke e shfrytëzuar fuqinë politike ta arrijnë”.

Krasniqi po ashtu thekson nevojën për kujdes në mos krijimin e një autonomie në këtë pjesë. Për t’u parandaluar një rrezik i tillë ai thotë se Kosova duhet të ketë qeveri stabile.

“Ne e dimë që lista serbe është krijuar në Beograd, kryatri i saj është zjgedhur nga Qeveria e Serbisë dhe qëllimi i saj është që këto marrëveshje që po arrihen në Bruksel të mundohen që përveçse të zabtohen, mundësisht edhe të zgjerohen, të dalin përtej atyre që është arritur. Kjo do të ishte e rrezikshme për secilën qeveri të vendit, sidomos nëse do të jetë një qeveri jostabile, për shkak se Qeveria e Serbisë, përmes listës serbe do të mund ta sabotonte dhe të ketë në dorë që kur do ta rrëzojë Qeverinë e Kosovës përmes daljes së tyre nga qeveria”.

Ndërsa për analistin e pavarur Shpend Kursani futja e Listës serbe në institucione dhe krijimi i asociacionit të komunave serbe i jep fuqi Serbisë që ta rrëzoj çfarëdo qeverie të ardhshme të Kosovës. Sipas tij Qeveria e ardhshme duhet të hap debat për zhbërjen e potencialit të krijimit të ktij asociacioni

“Në këtë nivel duhet të diskutohet dhe të zhbëhet potenciali i krijimit të këtij asociacioni. Kjo nuk është vetëm në të mirë të shtetit të Kosovës, por edhe në të mirë të serbëve, pra në këtë sens duhet të argumentohet , sepse nëse krijohet ky asociacion serbët vetëm se do të dezintegrohen nga institucionet e Kosovës dhe kështu do të kenë më pak lidhje me Kosovën e më shumë lidhje me Serbinë…”.

Në këtë kuadër analistët thonë se duhet një rishikim i procesit të dialogut me Serbinë, në mënyrë që të arrihet zbatimi i pikave që janë arritur pa u rrezikuar integriteti territorial i Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat