Shteti i varur nga Gjykata

Kosova

Shteti i varur nga Gjykata

Më: 17 gusht 2014 Në ora: 08:19

Gjykata Kushtetuese është duke e zvarritur procesin për dhënien e një përgjigjeje për atë se a ka pasur shkelje apo jo në seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovë. Kjo zvarritje më së paku i duhet tani vendit në këtë kohë kur institucionet shtetërore mbeten ende të pakonsoliduara, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike. Për Riza Smakën, Gjykata Kushtetuese tani do të duhej të punonte me intensitet më të madh se çdo herë, për vetë rrethanat nëpër të cilat po kalon Kosova.
“Vendi ynë reflekton nevojë që të ketë angazhim dhe mobilizim intensiv të Gjykatës Kushtetuese në këtë rast. Kjo çështje e cila tash është e kontestuar, pritet të zgjidhet në mënyrë që të krijohen institucionet e të mos bëhemi horë para botës”, ka thënë Smaka për Tribunën. Kjo çështje, sipas tij, po prolongohet pa nevojë, dhe se deri më tani vendi do të ishte dashur të bëhej me institucione, e jo të mbetet ende në pritje të vendimit të GJK-së.
“Kjo çështje është juridike, tepër e thjeshtë që nuk kërkon aq kohë të gjatë për t’u zgjidhur. Kjo ka mundur të zgjidhet brenda një jave. Në fakt s’ka pasur nevojë që kjo të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese fare, por meqë është dërguar, është dashur që ky organ të merret me urgjencë për të dhënë përgjigje për çështjet e ngritura”, ka theksuar Smaka. Ai ka një dyshim se e tërë kjo situatë është duke i shkuar për shtati dikujt. “Mund të supozohet që kjo çështje qëllimisht është zvarritur pa nevojë, ka mundur të jetë e kryer tashmë. Këto janë gjëra që e brengosin çdo qytetar i cili dëshiron ta shohë Kosovën si një vend të së drejtës”, ka nënvizuar Smaka.
Ndonëse komentet e bllokut LDK-AAK-Nisma për lëndën e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me vlefshmërinë e seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, i ka në dorë një gjykatës i cili është caktuar nga trupi gjykues i GJK-së, kjo e fundit sipas njohësit të çështjeve juridike Mazllum Baraliut, nuk do të duhej që këtë çështje ta zgjaste kaq shumë.
“Nuk do të thotë që kryetari me çdo kusht të jetë aty, por afatet janë më të rëndësishme. E kanë caktuar për shembull 18 shtatorin, si datë e fundit dhe 21 gushti si datë e debatit publik, të cilat janë data që shumë larg e çojnë çështjen e trajtimit të atij problemi, për arsye se ne jemi në një situatë të vakuumit politik dhe institucional”, ka thënë Baraliu. Sikurse Smaka edhe Baraliu vlerëson se kjo çështje nuk është aq e vështirë për t’u trajtuar nga GJK-ja dhe nuk do të duhej të merrte muaj të tërë për të ardhur deri te një përgjigje, por kjo, sipas tij, po i konvenon një subjekti politik.
“Mund të ketë edhe pretendime dikush sepse është thënë nëpër dhëmbë edhe nga disa përfaqësues seriozë të PDK-së, se thjeshtë në qoftë se nuk përmbushen kërkesat e tyre, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja. Ka një pretendim për të blerë kohë edhe shpresat, për të pasur mundësi manovrimi, për të gjetur ndonjë subjekt politik por edhe ndonjë deputet që t’i bashkohet koalicionit për të pasur vota për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, ka theksuar Baraliu. Kjo taktikë e përdorur nga PDK-ja, sipas Baraliut, mund të arsyetohet në aspektin politik, por jo në atë institucional, ku të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë që i takojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat