Ekstremizmi kërcënon sigurinë kombëtare

Kosova

Ekstremizmi kërcënon sigurinë kombëtare

Më: 16 gusht 2014 Në ora: 10:53

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, thotë se nuk ka pasur presion ndërkombëtar për inicimin e aksionit në arrestimin e mbi 40 të dyshuarve për përfshirje në radikalizëm dhe terrorizëm.
Ajo ka thënë se të gjithë janë të vetëdijshëm se ky kërcënim nuk e kanos vetëm Kosovën.

“Rreziku del përtej kontekstit tonë të brendshëm”, ka thënë në intervistën për zëri, presidentja Jahjaga.
Për të arrestuarit, Jahjaga thotë se janë një grup i izoluar, individë të radikalizuar, të manipuluar, për të cilët ka dyshime të bazuara që janë rreshtuar pranë grupeve terroriste, me qëllim që të kryejnë vepra terroriste dhe kriminale në Republikën e Kosovës dhe më gjerë.

“Është fjala për individë që kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare”, ka thënë Jahjaga.
E para e vendit, bënë thirrje që të gjithë t’i kundërshtojnë këto ideologji, që shkojnë në dëm të vendit.
“Ashtu sikur institucionet e vendit edhe qytetarët e Kosovës të dënojnë një veprimtari dhe orientim të tillë që bie ndesh me vlerat dhe idealet, mbi të cilat e ndërtuam shtetin tonë”, ka thënë presidentja e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat