“Xhamia” mbahet e mbyllur nga policia

Kosova

“Xhamia” mbahet e mbyllur nga policia

Më: 15 gusht 2014 Në ora: 19:39

Xhamia në rrugën “28 nëntori” në kryeqytet vazhdon të mbetet e mbyllur. Megjithatë, imami i saj Bedri Robaj, këtë të premte, ia ka mësyrë sërish këtij objekti të improvizuar.
Policët që janë të pranishëm në këtë vend, sipas tij, i kanë thënë se objekti është mbyllur me vendim gjykate. Por, ai thotë se as ai ose dikush tjetër nga këshilli i kësaj xhamie nuk janë intervistuar nga prokuroria.
Imami Robaj thotë se nuk e ka të qartë arsyen se pse është mbyllur objekti, derisa mohon të jetë zhvilluar ndonjë aktivitet sadopak i dyshimtë. Kjo xhami, për të cilën imami i saj thotë se e shfrytëzonin vetëm për faljen e xhumasë, nuk ishte nën kontrollin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Ajo u mbyll të hënën nga Policia e Kosovës, në aksionin që rezultoi me arrestimin e 40 personave, të cilëve u është shqiptuar nga 1 muaj paraburgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Të arrestuarit, disa prej të cilëve edhe kanë qenë në Siri, dyshohen për lidhje me grupet terroriste si ISIS e Xhabhatu Al-Nusra.
Derisa të enjten në Gjilan u arrestua Zekirja Qazimi, imami i xhamisë El Kuddus, i dyshuar ndër të tjera për nxitje për rekrutim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat