Jahjaga kërkon luftimin e radikalizmit

Kosova

Jahjaga kërkon luftimin e radikalizmit

Më: 1 gusht 2014 Në ora: 16:31

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar sot një takim të përbashkët me kryeministrin, Hashim Thaçi, ministrin e Punëve të Brendshme, zotëri Bajram Rexhepi, dhe me udhëheqësit e institucioneve të sigurisë në Kosovë, drejtorin e AKI-së, Bashkim Smakaj, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, kryeprokurorin e shtetit në largim, Ismet Kabashi dhe u.d të kryeprokurorit të shtetit, Sylë Hoxha, si dhe kryesuesin e Këshilli Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, për të diskutuar parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit dhe të radikalizmit.

Presidentja Jahjaga ka theksuar domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet të gjitha institucioneve të vendit, posaçërisht atyre që kanë përgjegjësinë për sigurinë kombëtare, me qëllim të luftimit të dukurive që po kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e vendit, të rajonit dhe më gjërë.

“Në takim, krerët e institucioneve kërkuan nga mekanizmat përgjegjëse për sigurinë që të veprojnë mbi bazën e ligjeve në Kosovë për të pamundësuar aktivitetet, organizimin dhe çfarëdo veprimtarie radikale e ekstremiste që kërcënojnë jetën e qytetarëve jo vetëm të Kosovës dhe që synojnë shndërrimin e vendit në burim të ekstremizmit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidentja Jahjaga ka ritheksuar qëndrimin se Kosova asnjëherë nuk do të bëhet strehë dhe nuk do të shërbejë si një burim për grupet radikale e ekstremiste. A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat