Të dëmtuarit nga shpërthimi në “Kosova A” paralajmërojnë ankesë në gjykatë

Kosova

Të dëmtuarit nga shpërthimi në “Kosova A” paralajmërojnë ankesë në gjykatë

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 21:06

Pronarë të shtëpive dhe lokaleve të dëmtuara nga shpërthimi i 6 qershorit në Termocentralin “Kosova A” kanë paralajmëruar ankesë në gjykatë nëse vlerësimet e komunës për dëmet nuk dalin reale.

Disa prej tyre janë ankuar edhe për kushtet e banimit, pas largimit nga shtëpitë e tyre.

Shaip Bllaca nga Obiliqi ka dy muaj që nuk ka mundur të hapë lokalin për shitje të mobilieve. Shtëpia e tij është njëra nga më të dëmtuarat nga shpërthimi i ndodhur në qershor në termocentralin “Kosova A”.

Që atëherë, Shaipi me familje po jeton në një shtëpi me qira, në kushte jo të mira të banimit. Ai ka thënë se ka në plan të kërkojë nga gjykata dëmshpërblim të merituar, në rast se raporti nga Komuna e Obiliqit nuk është i arsyeshëm.

Në komunë nuk kanë pranuar të japin detaje. Drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Burim Durguti, i ka thënë KTV-së se brenda pak ditësh do të publikohet raporti.

“Vlerësimi për shtëpitë dhe bizneset është bërë. Gjithashtu edhe pjesa me e madhe e vlerësimeve për veturat e dëmtuara është kryer. KEK-u do të ketë për detyrë të kryejë pagesën për këto dëme. Këto ditë ne presim të publikojmë të dhënat për dëmet e shkaktuara”, ka deklaruar Burim Durguti, Drejtor për Shërbime Publike dhe Emergjencë.

Zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë thënë se pavarësisht situatës së vështirë financiare që nga shpërthimi, ata janë të gatshëm t’i kryejnë të gjitha obligimet ndaj të dëmtuarve.

Burime brenda komisionit të formuar për këto dëme i kanë thënë KTV-së se vlera e mundshme e dëmeve, për të cilat KEK-u duhet të paguajë, mund të tejkalojë shumën e 35 mijë eurove.

Përpos dëmeve të mëdha materiale dhe në njerëz, shpërthimi në elektrolizë ka shkaktuar krizë të rëndë energjetike. Që nga 6 qershori e deri më tani në këtë termocentral është duke punuar vetëm një bllok.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat