Mbeturinat në kryeqytet mund të shkaktojnë epidemi

Kosova

Mbeturinat në kryeqytet mund të shkaktojnë epidemi

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 22:57

Pjesë të ndryshme të kryeqytetit janë të mbuluara me mbeturina, të cilat paraqesin problem shqetësues për qytetarët. Nga ana tjetër, kompania që ka tenderin për pastrimin e qytetit, thotë se çdo ditë janë në teren, ndërkaq fajëson edhe qytetarët për pakujdesi.
Mbeturinat janë bërë pjesë e përditshmërisë së qytetarëve, me të cilat po përballen çdo ditë. Ata shprehin pakënaqësi për shkak të erërave të këqija që lirojnë mbeturinat, ndërsa, kanë frikë edhe nga ndonjë sëmundje që mund të shfaqet si pasojë e tyre.

Situata e mbeturinave në kryeqytet mund të shkaktoj ndonjë epidemi, e kjo është edhe më e rrezikshme meqë jemi në sezonin veror, vlerëson epidemiologu Naser Ramadani.

Në një përgjigje elektronike për transmetuesin publik, Ramdani thotë së mbeturinat paraqesin burim të infeksioneve andaj edhe duhet të largohen me kohë. Më të rrezikshmet thotë, Ramadani janë ato në kontejner dhe që digjen duke liruar kështu toksina në ajër.

Por, në anën tjetër udhëheqësi i Kompanisë përgjegjëse për pastrimin e qytetit “Pastrimi”, Feim Salihu thotë për se vazhdimisht janë duke bërë pastrimin sistematik të qytetit. Sipas tij, një pjesë të madhe të fajit e bartin edhe vetë qytetarët, të cilët nuk kanë kujdes se ku i hedhin ato.

Ndërkaq, zyrtarë komunalë në kryeqytet, nuk kanë gjetur kohë të prononcohen. Në kryeqytet është vetëm një kompani e kontraktuar komunale që kujdeset për grumbullimin e mbeturinave. Dhe, përderisa zyrtarët i lënë fajin qytetarëve për pakujdesi, mbeturinat edhe më tutje vazhdojnë të mbesin rrugëve të kryeqytetit, sidomos në lagjen e spitalit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat