Muja: Asnjëherë sdo të këtë prova për transplanto organesh

Kosova

Muja: Asnjëherë sdo të këtë prova për transplanto organesh

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 14:57

Ish-drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, dr. Shap Muja, në një intervistë për transmetuesin publik, tha se, asnjëherë dhe në asnjë rast - nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë prova të trafikimit me organe njerëzore nga ana ish-ushtarëve të UÇK-së.
Sipas tij, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe nuk ka pasur mundësi të ndodhë, por është Serbia ajo e cila e ka pasur këtë mundësi. Muaj shpreh habi se si mediat kombëtare dhe ato të perëndimore nuk e hulumtojnë mundësinë reale të nxjerrjes së organeve të mijëra viktimave shqiptare të luftës, të cilat po i mban Serbia nëpër varreza masive tash e 15-vjet.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur as nga strukturat e UÇK-së, e as nga unë, pasi ne kemi pasur probleme shumë më të mëdha ekzistenciale sesa të lëshoheshim në lukse të tilla të një kriminaliteti. Trafikimi i organeve është një kriminalitet dhe UÇK-ja, nuk ka qenë asnjëherë e involvuar në një gjë të tillë.

Prandaj, aktakuza që është ngritur nga Këshilli i Evropës nën pretendimet e raportit të Dik Martyt, është një shkelje e madhe e të drejtave të njeriut. Ky është një dekonspirim i individëve të caktuar ndërsa Këshilli i Evropës nuk është dashur të lejojë spekulime pa u bazuar në fakte. Çdokush në botë sot, mund të jetë i dyshuar, por duhet të akuzohet vetëm kur ekzistojnë faktet. Këshilli i Evropës ka bërë gabim duke shkelur të drejtat e njeriut.

Në ditën e parë kur ka dalë ky raport, unë kam thënë se do jetë një problem i madh ndërkombëtar, duke pasur parasysh se ky raport ka qenë një sinkronizim i mirë i strukturave të cilat kanë qenë anti-Kosovë dhe kundër angazhimit të kosovarëve për t’u çliruar nga Serbia. Aktakuza të tilla ka pasur edhe në Republikën e Kroacisë, të cilat janë bërë me sinkronizim dhe deponim të prokurorëve serbë, mirëpo ata kanë qenë më të përgatitur se ne, duke i tejkaluar ato lehtësisht.

Ne duhet të jemi të qetë dhe t’i tejkalojmë ato, por çdokush i cili ka qenë pjesë e këtyre spekulimeve qoftë shqiptarë nga Kosova apo ndërkombëtarë, duhet të turpërohen. Unë personalisht jam dëmtuar në aspektin shpirtëror, profesional, familjar dhe këtë dëmtim unë nuk do ta lë pa e shpaguar për arsye se nuk bënë që institucionet e forta evropiane ta ngrenë këtë çështje pa fakte dhe në mënyrë hipotetike.

Edhe z. Ëilliamson, më shumë e kishte çështje hipotetike sesa faktike. Normalisht që e drejta e tyre është që të hulumtojnë dhe hetojnë, por jo siç veproi Dik Marty.Z. Ëilliamson tha se deri më tani nuk ka fakte të mjaftueshme, por, sipas tij do të vazhdojnë hetimet. Unë jam i bindur dhe u them të gjithë qytetarëve të Kosovës se, nuk do të ketë asnjë fakt, sepse një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Por, edhe sikur të kishte ndodhur, ne nuk kemi nevojë ta mbajmë Kosovën peng dhe të mos bashkëpunojmë në mënyrë që të dihet e vërteta, sepse ne nuk duhet të jemi pengesë e zhvillimit të shtetësisë. Nga momenti kur është nisur kjo procedurë, Shqipëria me veton e saj ka mundur ta ndalojë këtë procedurë, por fatkeqësisht nuk i kanë shfrytëzuar këta mekanizma.

Madje, kam dëgjuar se ka dëshmitarë të rangut të lartë edhe nga Republika e Shqipërisë, që në mënyrë hipotetike janë radhitur përkrah mercenarëve apo interesave të tyre. Ne duhet të jemi të vëmendshëm për çdo paraqitje publike, sepse ne nuk kemi të bëjmë me Dik Martyn, por kemi të bëjmë me Këshillin e Evropës. Unë nuk e akuzoj Dik Martyn por do të merrem me Këshillin e Evropës me qëllim të mbrojtjes së të drejtave te mia personale. Përmes këtyre të drejtave do të sqarohen edhe çështjet e imazhit të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Shpresojë që shumë shpejt çdo aktakuzë e cila mund të ngrihet për individët nga radhët e UÇK-së duhet të vërtetohet sa më shpejt me qëllim që në të lirohemi nga paragjykimet dhe e vërteta të del në shesh. Dëshpërimi im është sepse edhe mediat e Kosovës dhe të Shqipërisë nuk ka qenë në nivel të duhur. Askush nuk i përmend 1700 persona të zhdukur të cilët nuk janë dorëzuar ende nga Serbia dhe të cilët dihen botërisht se ku janë. Barazohen me 300 ose 400 serbë te zhdukur dhe që mua më jep të drejt të mendojë se edhe ata 300 persona serbë janë së bashku me personat tanë të cilët regjimi serb i ka fshehur diku dhe nuk i dorëzon për interesa të veta.

Mua më jep të drejt, po ashtu, që të pyes: përse asnjë gazetar, apo ndonjë zyrtar ndërkombëtar nuk ka hulumtuar se një gjë e tillë ka mundur ta bëjë edhe vetë Serbia, pasi në atë kohë ajo ka pasur në spitalin ushtarak institucionin më të përgatitur për transplatimin e organeve, madje edhe të mëlçisë. Në ditën kur ka ra Srebrenica, është bërë transplantimit i parë i mëlçisë në spitalin ushtarak të Beogradit dhe deri më tani askush nga gazetaria hulumtuese apo hetuesia nuk është marrë me këtë çështje. Ndoshta viktimave tona, të cilat nuk po dorëzohen, mund t’u jenë marrë organet e tyre.

Ndërsa në media flitet vetëm për mundësinë e trafikimit të organeve të serbeve. Serbët mundohen t’ua veshin shqiptarëve. Shpresoj se, përkundër vuajtjeve që personalisht i kam përjetuar, familja ime, rrethi, miqtë e mi, të cilët më kanë më kanë qëndruar afër duke besuar gjithmonë se nuk ka ndodhur kjo gjë, dhe unë dua t’iu garantojë edhe një herë botërisht, se ajo nuk ka ndodhur dhe për këto do të tregojnë faktet se nuk do të ketë as mundësi të aktakuzës, por do të ketë vetëm spekulime të mbetura në mendjen e Dik Martyt, e të vërtetuar në Këshillin e Evropës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat