QHDP përkrah deklaratën e ambasadorit Wiliamson

Kosova

QHDP përkrah deklaratën e ambasadorit Wiliamson

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 12:16

Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (QHDP) e ka përcjellë me vëmendje deklaratën e ambasadorit Williamson në cilësinë e Kryeprokurorit të Task-Forcës Hetimore Speciale, të bazuar në vendimin e Këshillit të Evropës të datës 5 qershor 2012 dhe në raportin e Këshillit të Evropës të datës 7 janar 2011.
“Pas një analize të thuktë të deklaratës, QHDP shpreh pajtimin e saj me këtë deklaratë dhe jep mbështetjen për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe gjykimeve të të gjitha rasteve që janë apo që mund të jenë lëndë e gjykatës së posaçme e cila do të merret me këto raste.

Është bindje e palëkundur e QHDP-së që pas qershorit 1999, krimet me motive etnike ndaj serbëve, romëve dhe minoriteteve tjera, apo krimet me motive politike ndaj shqiptarëve të kryera nga pjesëtarë të caktuar të UÇK-së, përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut dhe se duhet të trajtohen me saktësi ashtuqë të rehabilitohen disa marrëdhënie të tensionuara të shoqërisë sonë.

Bazuar në observimet e zhvillimeve në vend, QHDP konfirmon shqetësimin e Kryeprokurorit Williamson për frikësimin, shantazhin dhe kërcënimin e dëshmitarëve, duke pritur kështu nga institucionet kombëtare e ndërkombëtare që kjo praktikë të bëhet e pamundshme gjatë vazhdimin të këtyre rasteve.

QHDP përkrah në veçanti këtë pjesë të deklaratës së ambasadorit Wiliamson:

“Shumë kosovarë janë kyçur në UÇK me qëllimet më të mira dhe kanë refuzuar kriminalitetin që ngjau pas luftës. Disa nga këta kanë treguar guxim të madh dhe integritet duke u paraqitur si dëshmitarë dhe duke treguar atë që dinë për ata njerëz të cilët morën një shteg tjetër – ata në pozita udhëheqëse që kanë përqafuar kriminalitetin dhe kanë dëshiruar ta përdorin UÇK-në për ti çuar përpara synimet e tyre personale. Kështu, duhet të jetë e qartë se ky hetim dhe çdo akuzë që rrjedhë nga ai janë drejtuar te veprimet penale të individëve brenda grupeve të veçanta dhe jo te UÇK-ja në tërësi”.

Kësisoj QHDP fton qytetarët e Kosovës që ta mbështesin këtë hetim dhe gjykimet që do të rrjedhin prej tij, me qëllim të pastrimit të përpjekjes së popullit të Kosovës për çlirim nga çfarëdo njolle që e kriminalizon këtë përpjekje.

QHDP do të kishte kënaqësinë ta shihte këtë proces të udhëhequr dhe të përmbyllur nga institucionet e Kosovës mirëpo brishtësia e sistemit gjyqësor të Kosovës po e bën këtë të pamundur. Prandaj, QHDP sheh me optimizëm drejt të gjitha palëve të përfshira që ta çojnë këtë proces deri në fund. Gjithashtu, QHDP u bën thirrje institucioneve të vendit që të përfshihen sa më shumë në këtë proces, për të dëshmuar kështu gatishmërinë për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të bazuar në parime universale të drejtësisë, si faktori i parë i zhvillimit socio-politik të shoqërisë sonë.

QHDP shfrytëzon rastin për të rikujtuar se në Kosovë numri i të pagjeturve nga të gjitha komunitetet është mbi 1700 dhe se familjarët e viktimave tash e 15 vjet e vuajnë mungesën e më të dashurve të tyre. Prandaj, zgjidhja e çështjes së të pagjeturve duhet të bëhet prioritet i secilit proces që niset ose ka nisur mbi bazën e trajtimit të së kaluarës”, thekson QHDP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat