VV reagon për raportin e Williamsonit

Kosova

VV reagon për raportin e Williamsonit

Më: 29 korrik 2014 Në ora: 18:40

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas prezantimit të raportit nga Prokurori Special i Task Forcës së BE-së, Clint Williamson në Bruksel për hetimet të bazuara në Raportin e Dick Marty-t lidhur me trafikimin e organeve gjatë luftës nga strukturat e UÇK-së.

Në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se as për krimet e luftës në Kosovë dhe as për krimet e paqes, drejtësia nuk na vjen duke pritur nga institucionet ndërkombëtare por duke u angazhuar për gjykata të drejta dhe prokurori aktive vendore të cilat fillimisht duhen çliruar nga ky ekzekutiv i kapur.

Lexojeni të plotë deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje:

Kryeprokurori i Task Forcës Hetimore Speciale (TFHS), z.Clint Williamson, sot publikoi një deklaratë për punën e tij gati trevjeçare që u bazua në pretendimet e raportit të Raportuesit të Këshillit të Evropës, z.Dick Marty.

Nga një ekip i gjerë i kryesuar nga z.Williamson që punoi kaq gjatë ndërkohë që shpenzoi kushedi sa shumë mjete të Bashkimit Evropian, doli një deklaratë shtatëfaqëshe dhe jo një raport. Kjo deklaratë jo vetëm që është tepër pak kur krahasohet me resurset e poseduara dhe zhurmën e ngritur paraprakisht, por ajo është edhe e dobët për nga cilësia e përmbajtjes dhe substancës së saj.

Për të qenë edhe më keq se kaq, deklarata e sotme e z.Williamson (i cili vetë thotë se disi po i ngutet që të vie 23 gushti dhe ta dorëzojë detyrën te ndonjë pasardhës) ka shumë elemente të qëndrimeve politike paragjykuese por edhe kontradikta logjike të brendshme.

Së pari, përmes kësaj deklarate, vetë z.Williamson e pranon se bëhet fjalë për një situatë të paprecedent në drejtësinë ndërkombëtare ku themelimi dhe funksionimi i zyrës së prokurorit special bëhen pa pasur gjykatë ku paditë eventuale do të adresoheshin. Ndërkohë, nuk dihet ende se si tërësisht e saktësisht do të duket ajo Gjykatë e Veçantë e cila, siç dihet, nën trysni të jashtëzakonshme mbi deputetët, u ratifikua në Kuvendin e Kosovës me 23 prill 2014 porsi një çek blanko.

Së dyti, në deklaratë nuk specifikohet konkretisht koha kur janë kryer këto krime dhe në mënyrë ekskluzive territori ku janë kryer ato. Për z.Williamson është e rëndësishme të përmenden vetëm etnitë që kanë pësuar. Mirëpo, për një proces gjyqësor është tejet e rëndësishme që të konstatohet koha dhe vendi i kryerjes së veprimit penal, ngase nga ky element përbëhet baza ligjore e ndjekjes penale. Kështu, në njërën anë thuhet që mandati i TFHS konsiston te krimet e pasluftës (shih faqe 4) për ta komplementuar Tribunalin e Hagës, por, në anën tjetër, deklarata i referohet edhe krimeve të luftës gjatë viteve 1998-1999 për të cilat akuzon ‘elemente të UÇK-së’!

Së treti, nuk përmendet baza ligjore mbi të cilën TFHS i ka kryer këto hetime paragjyqësore dhe në mjegull e sipër është duke u konspiruar baza juridike e Gjykatës së Veçantë. Ashtu siç e kemi thënë më parë, kjo gjykatë do të ketë statutin e saj dhe se të gjitha procedurat do të zhvillohen konform këtij statuti pa u aplikuar dispozitat procedurale të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. Kjo e përjashton Gjykatën e Veçantë nga kontrolli kushtetues i Kosovës, duke pasur parasysh se, fatkeqësisht, Kosova e ka dhënë pëlqimin për këtë me votimin e Kuvendit për heqje dorë të një pjese të sovranitetit.

Së katërti, përderisa thuhet që hetimi dhe akuzat që dalin prej tij nuk janë drejtuar ndaj UÇK-së por ndaj individëve, pse duhet theksuar vazhdimisht që ata janë ish pjesëtarë të UÇK-së? Pse të mos quhen, thjesht, individë të dyshimtë? Ata mund të kenë qenë edhe anëtarë të shumë subjekteve e organizatave e klubeve të ndryshme por gjithsesi qëllimisht potencohet (vetëm) UÇK-ja si përkatësi e tyre. Për më tepër, teksa paragjykohet motivi i sigurt kur thuhet që krimet janë kryer për të fituar fuqi politike dhe pasurim personal, kjo nuk trajtohet si vepër e krimit ordiner, dhe njëkohësisht nuk shpjegohet se si kjo arrihet duke shënjestruar pakicat.

Së pesti, kjo deklaratë ka gjuhë të vagullt dhe profesionalisht të papërgjegjshme e cila sillet rreth të gjeturave që s’janë (ende) dëshmi (sic.). Për të ashtuquajturin trafikim të organeve edhe arsyetohet Dick Marty edhe pranohet se nuk ka dëshmi pas gati tre vjet hetimesh të përsëritura! Qartazi, z.Williamson është autor i një teme që e kupton se temë është vetë autori: ai orvatet ta shpëtojë edhe fytyrën e TFHS edhe atë të Dick Martyt. Mirëpo, përkundër kësaj, gjuha e z.Williamson është shumë e ashpër kur ai kategorizon krimet duke folur për ‘krime të luftës’ dhe ‘spastrim etnik’. Me dëshmi objektive të zbehta s’janë aspak korrekte këso pretendimesh subjektive të forta.

Së gjashti, z.Williamson bën konstatimin më të rëndë perëndimor për Kosovën të shprehur ndonjëherë përderisa flet për spastrim etnik të pjesës më të madhe të serbëve dhe romëve në jug të lumit Ibër me përjashtim të disa enklavave të shkapërderdhura si rezultat i persekutimit të pakicave nga ana e UÇK-së e që përfshinte vrasje, rrëmbime, zhdukje, burgim ilegal në kampe në Kosovë e Shqipëri, dhunë seksuale, zhvendosje nga shtëpitë e shkatërrime të kishave. Shumica dërrmuese e serbëve të Kosovës, rreth 80% sipas zyrtarit të UNHCR-së Ron Redmond, janë tërhequr bashkë me forcat policore dhe ushtarake të Serbisë në fillimverën e vitit 1999, ndërkaq edhe sot e kësaj dite shumica dërrmuese e serbëve të Kosovës jetojnë pikërisht në jug të lumit Ibër. Sipas Entit Statistikor të Republikës së Serbisë, në vitin 1991, në Kosovë kishte 194.000 serbë ndërkaq sot janë rreth 132.000 serbë. Situata kriminale në veri të Ibrit, ku shqiptarët u shndërruan dhunshëm në pakicë në veri të Mitrovicë përmes dëbimit prej andej në shkurt të vitit 2000 e deri te aktet terroriste vrastare ndaj policit Enver Zymberi dhe qytetarit Selver Haradinaj, nuk mund të arsyetohen me këtë tezë të paqëndrueshme të z.Williamson.

Së shtati, kjo deklaratë aspiron njëfarë balance të kriminelëve sipas palëve dhe angazhohet të krijojë përshtypjen e gabueshme që Tribunali i Hagës gjykonte serbët për luftën, ndërkaq tash Gjykata e Veçantë do të gjykojë shqiptarët për pasluftën. Në Tribunalin e Hagës, për luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë, ka pasur periudha kohore kur kishte më shumë shqiptarë të UÇK-së në burg sesa serbë.

Së teti, në Përmbyllje thuhet që ‘disa, për ta mbrojtur vetveten, janë përpjekur ta portretizojnë këtë hetim si një sulm mbi betejën e Kosovës për liri ose mbi UÇK-në si organizatë’. Kësisoj, z.Williamson orvatet që të gjithë kritikuesit t’i diskreditojë ose t’i bëjë të dyshimtë.

Së nënti, z.Williamson e ndjen që ka marrë anë në këtë hetim andaj detyrohet të rrëfejë qysh ka mbikëqyrur hetimet e Tribunalit të Hagës për krimet serbe (siç i quan ai), në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, duke u bërë bashkautor i aktakuzës fillestare ndaj Slobodan Milosheviqit, pastaj qysh ka biseduar me orë të tëra me viktimat dhe familjet e të pagjeturve e të vrarëve në verën e vitit 1999 etj.

Kjo deklaratë e përgjithshme, e shpërqendruar dhe me ngjyrime politike, në pritje të raportit dhe më tutje në pritje të gjykatës ku do të adresoheshin aktakuzat e mundshme, ka për funksion e pasojë disiplinimin e mëtutjeshëm të ish pjesëtarëve të UÇK-së që kanë pozita të larta në institucionet e Kosovës. Hetuesit e prokurorët ndërkombëtarë në Kosovë e rrotull saj edhe më tej preferojnë që ta godasin konjukturën udhëheqëse politike në Kosovë për krime të luftës (pra, disi për atë çfarë i bënë Serbisë gjatë një viti) dhe jo për krimet e korrupsionit (pra, për atë çfarë iu bënë qytetarëve të Kosovës tash e 15 vjet).

As për krimet e luftës në Kosovë dhe as për krimet e paqes, drejtësia nuk na vjen duke pritur nga institucionet ndërkombëtare por duke u angazhuar për gjykata të drejta dhe prokurori aktive vendore të cilat fillimisht duhen çliruar nga ky ekzekutiv i kapur.

Në Serbi u dorëzuan te drejtësia ndërkombëtare krerët e pushtetit politik dhe gjeneralët e luftës për të shpëtuar shumësinë e dhjetëra mijëra kriminelëve serbë të luftës që bënë krime në katër luftërat në ish Jugosllavi gjatë viteve të ’90-ta. Në Kosovë po bëhet dorëzimi i gjithsecilit luftëtar çlirimtar e madje edhe vetë aspektet thelbësore të shtetësisë së Kosovës vetëm dhe vetëm që të mbrohen disa udhëheqës shqiptar të luftës e të paqes, të cilët ndërkohë që vazhdojnë pasurimin në paqe, nuk duan të marrin përgjegjësinë për luftën.

UÇK-ja dikur e mbronte Kosovën, por shteti i kapur i Kosovës sot nuk e mbron dot UÇK-në. Së fundmi, në intervistën për Euronews të datës 13 shkurt 2014, kryeministri në ikje, Hashim Thaçi, në pyetjen nëse ka vrarë ose urdhëruar vrasje gjatë luftës u përgjigj se ai ka qenë larg fronteve të luftës (sic.), ndërkaq në reagimin e sotshëm të Qeverisë në ikje pas deklaratës së z.Williamson, ai shprehte ashtu kot përkushtimin për ‘procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë’. Gjithçka e qartë, apo jo? /A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat