Falet Bajrami i Madh,thirrje për paqe e tolerancë

Kosova

Falet Bajrami i Madh,thirrje për paqe e tolerancë

Më: 28 korrik 2014 Në ora: 08:59

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në Hydben e Bajramit të Madh është lutur për mëshirë dhe begati për qytetarët e Kosovës dhe mbarë trojeve shqiptare dhe për ndalim të luftës dhe vrasjes së njerëzve në Siri, Gaza dhe të gjitha vendet e botës ku, siç ka thënë ai, po vriten njerëz të pafajshëm.
“Të ju ndihmohet atyre dhe të vendoset paqja në mes të gjithë atyre që jetojnë në ato shtete. Të kultivojmë frymën e dashurisë, paqes, tolerancës, respektit të ndërsjellë edhe me besime të tjera qe Kosova tëjetë vend i harmonisë, tolerancës dhe paqes ngase Islami është një fe e cila i është shpallur njerëzimit me qëllimin e dhurimit të një jete paqësore përmes së cilës pasqyrohet në tokë mëshira dhe bamirësia e pafund e Allahut Xheleshanuhu. Ky është edhe mesazhi universal i cili del në vazhdimësi troket në ndërgjegjen e njeriut për të rizgjuar atë në mënyre që bota të përqafoj paqen. Vëllezër e motra, besimtarë të ndershëm e ë respektuar kudo që ju gjendeni, më lejoni edhe një herë në fund që nga ky vend i shenjt, nga kjo xhami,edhe një herë ta lus krijuesin e këtij universi për mirëqenien tuaj kudo që gjendeni ju në Kosovë dhe në trojet tona etnike shqiptare por edhe në mërgatën e largët, Zoti na faltë begati të shumta edhe në këtë ditë të Bajramit”, ka thënë ai.
Tërnava ka shtuar se ky Bajram vjen pas një sakrifice të madhe që e kanë bërë të gjithë besimtarët anë e kënd botës e i cili është vetëm për Zotin e madhërishëm.
“Sot është dita e parë e Fitër Bajramit, (Bajramit të Madh) besimtarët islamë anë e kënd botës, kudo që ata jetojnë kanë mësyrë xhamitë, shtëpitë e Allahut, për të kryer ritet e faljes së Bajramit i cili vjen si kurorëzim i agjërimit të muajit të Ramazanit i tërë atij adhurimi dhe përkushtimi njëmujor që kemi bërë vetëm për Zotin xheleshanuhu në shenj respekti për të gjitha ato të mira të cilat na i ka dhuruar ai”, është shprehur Tërnava.
Ai këto lutje i ka bërë pas faljes së namazit të Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë i cili është prirë nga kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora e që është mbajtur në ora 6:00 të mëngjesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat