Partitë, urojnë qytetarët për Festën e Bajramit

Kosova

Partitë, urojnë qytetarët për Festën e Bajramit

Më: 27 korrik 2014 Në ora: 18:56

Liderët e partive politike, u kanë uruar qytetarëve të vendit, festën e Fitër Bajramit, duke u dëshiruar paqe, shëndet dhe begati në shtëpitë e tyre.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ua ka uruar festën e Bajramit të Madh, të gjithë besimtarëve islamë të Kosovës.

“Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim, dua t’ju shpreh urimet më të sinqerta me rastin e Festës së Bajramit të Madh, duke ju dëshiruar paqe, shëndet dhe begati në familjet tuaja. Në këtë ditë kremteje, shprehim nderim për të gjithë besimtarët e devotshëm, të cilët me agjërim e kanë kaluar muajin e Ramazanit nën shenjën e adhurimit të Zotit, të mirësisë dhe të përmbajtjes, të sakrificës e të dashurisë për njëri-tjetrin dhe për njerëzimin mbarë”, thuhet në urimin e kryetarit Mustafa.

Edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e festës së Fitër Bajramit, ia ka përcjellë urimet e tij kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava dhe të gjithë besimtarëve.

“Në këtë moment, të gjithë ne kujtojmë të kaluarën tonë dhe ata që iu falën lirisë, atdheut dhe shtetit që sot po e ndërtojmë, duke synuar, me vizion të qartë dhe me më shumë përkushtim, angazhim e sinqeritet, ndërtimin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës dhe të një jete më të mirë, për të gjithë qytetarët tanë ”, thuhet në urimin e Haradinaj.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, të gjithë besimtarëve myslimanë dhe shqiptarëve kudo që ndodhen, ua uron Fitër Bajramin.

“Fitër Bajrami është fjala përmbyllëse e Zotit, për muajin e shenjtë të Ramazanit. Gjatë këtij muaji ndodh një përqendrim i veçantë i dedikimit, një respekt special për madhështinë e Krijuesit, një shkëputje periodike nga rutina materiale për ta mbajtur lart përkushtimin shpirtëror dhe një kujtesë e përhershme e besimtarëve për detyrimin ndaj Tij. Zoti e ka krijuar njeriun për të bërë vepra të mira, për ta ndihmuar nevojtarin dhe për ta ngritur të varfrin. Prandaj ndarja e të mirave të Zotit me të tjerët që kanë nevojë (zeqati), është vepër nga e cila duhet të marrin shembull të gjithë”, thuhet në urimin e Vetëvendosjes..

Edhe Kryesia e NISMËS për Kosovën, të gjithë qytetarëve të besimit islam, ua uron festën e Fitër Bajramit.

“Le të jetë kjo ditë e mirësisë, paqes, solidaritetit, tolerancës dhe dashurisë ndër njerëzore. Kryesia e NISMËS për Kosovën, të gjithë qytetarëve të besimit islam u dëshiron shëndet dhe suksese në familjet e tyre”, thuhet në urimin e Nismës për Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat