Fetvaja e Jusf Thaçit për ISIS’in dhe El Bagdadin

Kosova

Fetvaja e Jusf Thaçit për ISIS’in dhe El Bagdadin

Më: 27 korrik 2014 Në ora: 14:22

Ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi e ka dhënë një gjykim për organizatën ISIS duke thënë se ajo do të duhej të shpallej si anti-islame.
Thaçi, i cili tash udhëheq me një organizatë që merret me fëmijët me inelegjencë të lartë, ka dhënë fetva edhe për El Bagdanin, i cili po thirret si Kalif i ISIS’it.

“Një këshillë për naivët që besojnë në Kalifatin e ISIS! Ky Kalifati i ISIS-it (i vetëshpallur) mund të jetë Kalifat i Injorancës, i Terrorit, i Dhunës, i Degjenerimit, i Faqezezësisë, por assesi Kalifat Islam, sepse nuk ka ndjekur as procedurë e nuk ka as formë e as përmbajtje Islame”, ka shkruar ai.

Lexojeni të plotë reagimin e Jusuf Thaçit:

Meqë në ditët e sotme gjithkush po jep fetva (gjykim fetar islam), edhe unë po e jap një fetva!
.
Sikur bota islame të kishte dijetarë të vërtetë (gjë që nuk i ka tash e disa shekuj), ata do duhej ta shpallnin këtë organizatën ISIS si organizatë anti-islame, sepse duke bërë gjithçka joislame në emër të Islamit, këta vërtet po e turpërojnë Islamin.
.
Ndërsa, ata "dijetarë" të ISIS-it që nxjerrin "fetva" për ISIS-in, do duhej që fillimisht ta informonin "kalifin" e tyre injorant se Kalifati Islam është ngritur e e ka dominuar botën për shkekuj atëherë kur e ka pasur supermacinë në dije, në filozofi, në shkencë, në art e në kulturë.
.
Për më tepër, këta "dijetarë" do duhej ta dinin hadithin e Muhammedit a.s., i cili i përshkruan shumë mirë pikërisht këta, e i cili thotë: "All-llahu nuk do ta zhdukë dijen me heqjen e saj nga përdorimi, por dijen sigurisht to ta heqë me zhdukjen e dijetarëve. Dhe kur nuk do të ketë dijetarë, njerëzit do t'i zgjedhin për udhëheqës të paditurit. Populli do t'i pyes e ata do t'i japin shpjegime (fetva) pa ndonjë dijeni. Ashtu, ata edhe vet do të bien në katastrofë, e edhe të tjerët do t'i largojnë nga udha e drejtë.".
.
Një këshillë për naivët që besojnë në Kalifatin e ISIS! Ky Kalifati i ISIS-it (i vetëshpallur) mund të jetë Kalifat i Injorancës, i Terrorit, i Dhunës, i Degjenerimit, i Faqezezësisë, por assesi Kalifat Islam, sepse nuk ka ndjekur as procedurë e nuk ka as formë e as përmbajtje Islame.
.
Si duket, Muhammedi a.s. i ka përshkruar shumë mirë edhe këta të ISIS-it. Në një hadith të Muhammedit a.s. thuhet: "... do të paraqiten njerëz, do të jenë të rinj e të pakuptueshëm, të cilët do të lexojnë Fjalën më të Mirë (Kur'anin), por do të kalojnë nëpër Islam sikur shigjeta kur kalon në gjahun e zënë, kurse Imani (besimi) nuk do ta kalojë as laringun e tyre".
.
Ata myslimanë që i besojnë Xhihadit dhe Kalifatit të ISIS-it duhet të mbajnë parasysh dy hadithe të tjera të Muhammedit a.s.:
.
1. "Vetëm All-llahu e di se kush lufton në rrugën e Tij".
.
2. "Me të vërtetë, njeriu para masës nganjëherë punon punë që i punojnë banorët e Parajsës, kurse në realitet ai është nga radhët e banorëve të Ferrit".
.
Për ta përmbyllur! Që këta të ISIS-it nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin, këtë e dëshmon fakti që ata po vrasin njerëz të pafajshëm, myslimanë e jomyslimanë. Islami e ndalon një gjë të tillë në mënyrë eksplicite, madje jo vetëm vrasjen e myslimanëve (që vetëkuptohet), por e ndalon edhe vrasjen e jomyslimanëve në shtetin Islam. Muhammedi a.s. në një hadith thotë: "Ai që e mbytë pjesëtarin e fesë tjetër, i cili jeton në shtetin Islam, ai nuk do ta shijojë as erën e Parajsës".
.
.
P.S.: Për hir të korrektësisë dhe origjinalitetit të haditheve, të gjitha hadithet e cituara janë të marra nga Sahihul Buhari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat