Banorët e kryeqytetit shqetësohen nga zhurmat e motoçiklistëve

Kosova

Banorët e kryeqytetit shqetësohen nga zhurmat e motoçiklistëve

Më: 27 korrik 2014 Në ora: 12:55

Motoçiklistët të cilët marshojnë nëpër kryeqytet gjatë natës dhe fundjavës, janë bërë ankth për qytetarët. Policia thotë se, sidomos gjatë pranverës dhe verës motoçiklistët shtojnë marshet e tyre nëpër qytet dhe në rrugët magjistrale.

Përveç zhurmave nga klubet e natës, në kryeqytet tash së fundit janë shtuar edhe marshet e motoçiklistët të cilët ngasin motoçikletat pa kontroll dhe bëjnë shkeljen e ligjit. Ndërkohë, për zhurmat që motoçikletat shkaktojnë nuk ekziston ndonjë dënim I caktuar, përveç nëse ata bëjnë shkeljen e ligjit duke bërë ngasje të rrezikshme dhe duke mos respektuar kufizimet e shpejtësisë atëherë polica vepron sipas ligjit.
Zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Brahim Sadriu, tha për transmetuesin publik, se ka thirrje nga qytetarët sidomos gjatë natës për zhurmat që krijohen nga motoçiklistët.
“Nëse ata bëjnë veprime nëpër zonat e shpejtësisë së lejuar, kjo është kundërvajtje. Nëse ata në zona të banuara ngasin me një shpejtësi shume të madhe ose bëjnë dalje dhe nisje rrethrrotullime të cilat mund ta rrezikojnë jetën e banorëve ose sigurinë, atëherë policia ndërmerr veprime konform kundërvajtjes që ata kanë bërë”, thotë Sadriu.
Zhurmat dhe marshet e motoçiklistëve gjatë natës janë bërë problem për qytetarët e sidomos pas orës 24, shprehen qytetarët, të cilët thonë se nuk mund ta bëjnë gjumin e qetë.
Brahim Sadriu i Policisë së Kosovës sqaron se personat të cilët e kanë hobi ngasjen e motoçikletave bëjnë marshe nëpër qytet dhe nëpër rrugët magjistrale të vendit. Sipas Sadriut edhe motoçiklistët janë pjesëmarrës të rregullt në trafik. Policia, sipas tij, reagon edhe në rast se ata ngasin pa helmeta dhe në rast se ata bllokojnë trafikun.
Kosova nuk ka rrugë të rezervuara për ngasësit e motoçikletave. Pavarësisht kësaj, ngasësit e motoçikletave vazhdojnë t’i ngasin me pasion dhe shpejtësi motoçikletat e tyre, pa menduar se kjo mund t’u kushtojë me jetët e tyre, por edhe të kalimtarëve nëpër që rastisin rrugëve

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat