Grevistët nuk zmbrapsen

Kosova

Grevistët nuk zmbrapsen

Më: 26 korrik 2014 Në ora: 23:24

Edhe pse tenda para objektit të Qeverisë së Kosovës ka ndryshuar, qëndrimet janë të njëjta të ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave të Çelikut në Ferizaj. Ata janë të vendosur që deri në marrjen e pareve që u takojnë, e që janë mbi 25 milionë euro, ta vazhdojnë grevën.
Gjatë ditës së djeshme, grevistët kishin mbetur edhe pa tendën që e kishin, pasi pronari i saj ka vendosur me ua marrë. Por, ish-punëtorët e kësaj fabrike, të vendosur në kërkesat e tyre, u rehatuan me një tendë të re.
Njazi Asllani, kryesues i grevistëve, tregon se shumica e grevistëve janë larguar për shkak të festës së Bajramit, por, megjithatë, disa të tjerë janë aty.
Asllani thotë se nuk është e vërtetë që ata po mendojnë që këtë grevë ta ndërprejnë.
Kur kanë hyrë në ditën 61 të grevës, përveç kushteve jo të mira, grevistëve telashe po u nxjerrin edhe temperaturat e larta, e edhe shiu që ka rënë ditëve të fundit.
Katër prej grevistëve janë nën përkujdesjen shtëpiake, pas përkeqësimit të shëndetit të tyre.
Këta ish punëtorë po i kërkojnë rreth 25 milion eurot që u takojnë nga privatizimi i fabrikës, ndërsa kostoja e shitjes së fabrikës ishte tre milion e gjysmë euro.
Gjykata Kushtetueses vendosi që dhënia e mjeteve të ekzekutohet nga nga Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit. Por, AKP po e zvarrit bartjen e pareve, me arsyetimin se për realizimin e kësaj duhet kompletimi i Bordit prej tre anëtarëve ndërkombëtarë. E, për me u marrë vendimi pa anëtarin ndërkombëtar, duhet ndryshuar ligji për AKP-në, ndryshim ky i cili nuk mund të ndodh pa konstituimin e institucioneve.
Në mars të këtij viti, me 58 vota për, katër abstenime dhe asnjë kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës patën miratuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur me ekzekutimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pagesën e borxhit ndaj këtyre ish- punëtorëve.
Fabrika e Tubave të Gypave të Çelikut në Ferizaj, IMK, ishte privatizuar me “spin-off special”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat